Tirana dhe Partizani do të përballen këtë të diel për të luajtur supersfidën e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Derbi i kryeqytetit që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, nis në orën 19:00.

Para kësaj supersfide ka folur ish-i i të dy ekipeve, argjentinasi Agusin Torassa. Fantazisti 36-vjeçar sheh Partizanin si favorit në derbin e sotëm, teksa sipas tij Tirana po lufton për mbijetesë. Ndër të tjera, Torassa nuk zgjedh dot mes Tirona Fanatics dhe Ultras Guerrils, duke theksuar se janë dy tifozëri fantastike.

Gjithashtu, argjentinasi thotë se cilësia e futbollit në Shqipëri ka rënë që nga koha kur ai ishte pjesë e Superiores.

Jeni një lojtar që keni luajtur për të dyja ekipet, me cilët jen ndierë më mirë?

Patjetër që ndihem shumë i nderuar që kam luajtur për dy klubet më të mëdha në Shqipëri. Nuk ka asnjë ekip ku jam ndjerë më mirë, të them të drejtën. Çdo moment dhe sukses ishte fantastik. Partizani ishte eksperienca ime e parë, edhe pse nuk arritëm ta fitonim kampionatin, kemi marrë pjesë dy herë në Kupat e Europës dhe kemi bërë shumë mirë. Dhe Tirana ishte eksperienca ime e fundit në Shqipëri, ku fituam kampionatin dhe ku ishim një hap larg hyrjes në fazën e grupeve të Europa League. Momente të paharrueshme në të dy klubet.

Nëse sot do riktheheshit të luanit në Shqipëri, do zgjidhnit Partizanin apo Tiranën?

Është e vështirë të zgjedhësh një klub kur përvoja jote ishte e shkëlqyer në të dyja. Unë kam shumë miq atje, nga të dyja palët. Dhe nuk dua që askush të ofendohet.

Cilin shihni ekip favorit për ndeshjen e sotme dhe pse?

Mendoj se Partizani është ekipi favorit në këtë derbi. Është në vendin e parë dhe duhet të tregojë pse ka gati dy herë më shumë pikë se Tirana. Dhe Tirana është në një situatë që nuk mund të dështojë sepse po lufton për të qëndruar në Superligë dhe kjo sjell shumë nervozizëm, që nuk është kurrë mirë. Do të jetë një ndeshje e bukur, me realitete shumë të ndryshme.

Mendoni se futbolli në Shqipëri ka qenë më i bukur dhe cilësor në kohën tuaj apo sot?

Nga koha ime në Shqipëri mbaj mend një nivel shumë të lartë, lojtarë të mirë dhe ndeshje shumë emocionuese. Shumë tifozë, një atmosferë e mirë. Mendoj se niveli ka rënë pak kohët e fundit në Shqipëri.

Cila tifozeri ju ka bërë të ndiheni më “ngrohtë” ata të Tiranës apo Partizanit?

Kjo pyetje është si të zgjedhësh mes tifozëve të Boca dhe River Plate. Është pothuajse e pamundur të thuhet se një tifoz është më i mirë se të tjerët. Ata janë dy fansat më të mëdhenj dhe më të pasionuar në Shqipëri

Për ta mbyllur me derbin, mund të ndani me ne një moment që ju ka mbetur gjatë në memorie?

Derbi që mbaj mend më shumë është i pari që fituam ndaj Partizanit në stadiumin Air Albania, ishte 2-1 me golat e Bathës dhe Cobinah në minutën e 90-të. Mund t’ju siguroj që nga ajo ditë, nga ai derbi e tutje, gjithçka ndryshoi. Tirana ishte një klub gjigant që flinte dhe atë ditë u zgjua.