Erald Çinari do mbyllë aventurën me Partizanin, pas përfundimit të sezonit. Sulmuesi shkodran do të vazhdojë karrierën në Turqi, aty ku pritet të jetë pjesë e skuadrës së Samsunspor, në Ligën e Parë turke.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht, se lojtari ka firmosur parakontratë me klubin turk prej dy javësh dhe është e sigurt që do e vazhdojë karrierën aty.

Palët  kanë qenë në bisedime prej kohësh dhe pas shumë diskutimeve kanë arritur marrëveshjen që nga sezoni i ardhshëm, lojtari të jetë pjesë e Samsunspor.

Çinarit i përfundon kontrata me Partizanin në fund të këtij sezoni dhe do të largohet si lojtar i lirë. Pas heqjes së dënimit, sulmuesi ka luajtur në 21 ndeshje për të kuqtë këtë sezon, ku ka arritur të shënojë 8 gola.