Erald Çinari është nisur dje në drejtim të Spanjës për të zyrtarizuar edhe kalimin e tij tek ekipi spanjoll i Alavesh, pjesë e të cilit do të jetë për tri vitet e ardhshme.
21-vjeçari shkodran mësohet se do të firmosë një kontratë me këtë klub nga ku do të përfitojë një shumë prej 150 mijë eurosh në vit.
Ndërsa nga ana tjetër, klubi kuqeblu bo të përfitojë nga ky kalim një shumë minimale prej 20 mijë eurosh. Nga sa mësohet, do të ketë një prezantim të këtij lojtari dhe po ashtu ditën e sotme klubi spanjoll do të transferojë në llogarinë e Vllaznisë shumën e kalimit.
Pas kësaj firme, lojtari do të udhëtojë sërish drejt Shkodrës dhe pas një jave do të bashkohet me një prej ekipeve të kryeqytetit kroat.
Klubi i Alavesh mësohet se ka një kontratë bashkëpunimi me klubet kroate ku edhe do të huazojë për këtë sezon Cinarin.
Bëhet fjalë për Dinamon e Zagrebit, NK Zagreb dhe FK Istra ku mund të huazohet lojtari. Çinari zyrtarisht është lojtari i dytë pas Arlind Kalasë që largohet nga skuadra.
Ndërsa është i pari që ikën, edhe pse kishte një kontratë me klubin.
LARGIMET Nga skuadra momentalisht shikohen si të larguar të gjithë lojtarët që u ka përfunduar kontrata.
Nga sa mësohet, futbollistët jabanxhinj, që kanë pasur një kontratë 1- vjeçare me ekipin, dhe po ashtu edhe ata që kanë pasur kontrata 6-mujore me të drejtë rinovimi, shihen si lojtarë të lirë të cilëve u ka përfunduar kontrata.
Një gjë e tillë nuk mund të thuhet për Vucajn apo për Likën që kanë ende një kontratë me Vllazninë.Po ashtu, kontrata kanë edhe lojtarët e tjerë si Gocaj, Krymi, Pjeshka, Gurishta, Marku, Sherri, Ruqi, Pusi apo Isufi.
Ndërsa lojtarëve që u kanë përfunduar kontratat dhe do të largohen janë Nuredin Orelesi, Renato Malota, Sadet Berisha, Ergys Mersini, Andi Ribaj dhe Xhevahir Sukaj. Drejtuesit më të lartë të klubit duket se janë të bindur për të mos rinovuar më me këta lojtarë.
“Çdo lojtari që i ka mbaruar kontrata është i lirë që të largohet”, ka thënë kryebashkiakja Voltana Ademi. Fjalët e saj lënë të kuptohet se kuqeblutë nuk kanë një interesim për këta lojtarë.
Pritet që puna për ndërtimin e Vllaznisë së re të nisë në fund të qershorit kur do të zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak që do të zgjedhë bordin e ri drejtues.