Ciro Ferrara, ish-mbrojtës i Napolit dhe Juventusit, foli për garën për “Scudetto” këtë sezon, duke thënë se është një kampionat shumë i balancuar dhe se shumë skuadra mund të luftojnë për kampion: “Është një kampionat shumë interesant, ka shumë ekuilibër dhe rezultatet e fundit e tregojnë këtë. Në këtë moment, shumë skuadra janë aty-aty për të luftuar për titullin”.
Për Napolin, ai tha: “Gjeni një arsye pse Napoli nuk mund të shkojë deri në fund. Conte i ka rikthyer besimin të gjithë ambientit, kryesisht lojtarëve. E njoh mirë Antonio dhe jam i sigurt se do të mundohet të mbajë një fokus shumë të lartë deri në fund. Do të kërkojë gjithçka që ta arrijë këtë objektiv. Conte ka rregulluar fazën mbrojtëse, besoj se, megjithë mungesën e rëndësishme të Buongiorno, mund të mbajë tendencën mbrojtëse”.
Në lidhje me Juventusin, Ferrara tha: “Vlahovic është një lojtar që gjithmonë do të shënojë mbi 10 gola, por lidhja e tij me lojën e ekipit ka ende shumë hapësirë për përmirësim. Ai duhet të punojë për këtë. Po ashtu, duhet të përmirësojë reagimet kur zëvendësohet, ende ka për t’u rritur. Ka disa të dhëna objektive për Juventusin, ku spikasin shumë barazime. Nuk është një problem i Thiago Motta apo dikujt tjetër, por pritshmëritë për më shumë. U largua një trajner fitues si Allegri, sepse Juventusi kishte nevojë për futboll tjetër. Si gjithmonë, rezultatet janë ato që e japin drejtimin. Dje mori një fitore shumë të rëndësishme, nuk ka rëndësi si erdhi”.
Për mundësinë që Atalanta të luftojë deri në fund, Ferrara komentoi: “Do të ishte një histori e pabesueshme. Nuk është më një surprizë, por siguri. Vetëm përgëzime për klubin dhe trajnerin, që ka shumë vite në këtë pankinë, diçka që është gjithmonë më e rrallë. Mund të garojë deri në fund për titullin dhe ndoshta të ndjekë histori të tjera të bukura, si ajo e Sampdorias në vitin 1991”.
Për mundësinë që Ranieri ta rikthejë Romën në pozitat e larta të klasifikimit, Ferrara tha: “Besoj se hendeku është shumë i madh, sinqerisht. Ta shoh Romën në kompeticionet më të mëdha europiane, nuk më duket e mundshme. Ata që janë para saj po ecin shpejt dhe janë shumë”.
Mbi mundësinë për ta ulur numrin e skuadrave në Serie A, Ferrara shprehu mendimin e tij: “Ndoshta po, mund të kishte ndonjë përfitim nëse reduktohet numri i skuadrave. Po ashtu, duhet të theksojmë se në kohën time kishim vetëm tri zëvendësime. Tani, me pesë zëvendësime, koha e lojës është më e shkurtër, edhe pse janë shtuar ndeshjet dhe skuadrat”.
Për mundësinë që Del Piero të bëhet president i FIGC, Ferrara tha: “E kam lexuar këtë gjë, duket se Alex nuk ishte i informuar plotësisht dhe është ndjerë pak i befasuar. Në të ardhmen, përvoja e një ish-futbollisti mund të sjellë përmirësime. Sidoqoftë, janë dinamika që besoj se Alex nuk do të dojë t’i përjetojë në këtë moment”.
Për pyetjen nëse Italia mund të kualifikohet në Botërorin 2026, Ferrara u shpreh: “Duhet gjithmonë të luftohet fort për këtë, por jam shumë i sigurt”./telesport/