Chelsea ndërpret marshimin e fitoreve radhazi që i kishte mundësuar vendin e tretë në klasifikim, ndërkohë që kalohet tashmë nga Manchester City që në ndeshjen direkte e mundi sot me rezultatin 2-1.

Edhe ndeshja e sotme filloi mirë për djemtë e Lampard, me Kante që me një goditje të zgjuar mund portierin Ederson.

Por kampionët në fuqi nuk janë të tillë më kot, dhe përmbysin gjithçka qysh në pjesën e parë, me një goditje të De Bruyne të devijuar nga mbrojtja (29’) dhe një aksion personal të bukur të Mahrez (37’).

Në pjesën e dytë nuk munguan rastet, por Chelsea nuk mundi të barazojë, madje ishte City që shënoi në minutat shtesë me Sterling, por goli u anulua nga VAR për një pozicion jashtë lojë milimetrik.