Manchester City fiton me rezultatin 2-3 në transfertën e Crvena zvezda, duke mbyllur llogaritë e fazës së grupeve të Champions League.
Anglezët zhbllokuan sfidën në minutën e 19’ me Hamilton që i dha avantazhin skuadrës së Guardiolës. Teksa në minutën e 62’ Bobb dyfishoi avantazhin e Manchester City-t.
Skuadra e Crvena zvezda reagoi dhe rihapi sfidën në minutën e 76’ me Hwang In-Beom.
Megjithatë City fitoi penallti, që u ekzekutua nga Philips në minutën e 85’, duke i dhënë skuadrës së tij golin e tretë. Ndeshja u vulos në fund nga Katai, i cili shënoi golin e dytë për vendasit në minutën e 90+1’.
Kështu Manchester City kalon në fazën e 1/8-ave si kryesues i Grupit G me pikët e plota pra me 18 pikë, teksa Crvena Zvezda del nga Europa.
Ndërkohë RB Leipzig fiton me rezultatin 2-1 ndaj Young Boys, me golat që për vendasit i realizuan Sesko 51’ dhe Forsberg në minutën e 56’, teksa për miqtë shënoi Colley në minutën e 53’.
Kështu Leipzig shkon në 1/8-at e Championsit si vendi i dytë i grupit C me 12 pikë, teksa Young Boys shkojnë në 1/16-at e Europa League, pasi u renditën në vend të tretë me 4 pikë.
Pas Arsenal, PSV, Bayern Munich, Copenhagen, Real Sociedad, Inter, Real Madrid, Napoli edhe Manchester City së bashku me RB Leipzig janë skuadrat që kanë mbyllur fazën e grupeve dhe janë kualifikuar në 1/8-at e Champions League.
Ndërsa skuadrat që kanë për të luajtur mbrëmjen e kësaj të mërkure sfidën e fundit të fazës së grupeve, por që tashmë e kanë siguruar kualifikimin në 1/8-at janë Barcelona, Atletico Madrid, Lazio dhe Dortmund.