Çlirim Basha, ish-kampioni i vendit me Vllazninë në sezonin 1991-92, ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Ish-mbrojtësi, nga Gjermania ku jeton aktualisht, ka komentuar për situatën që po kalojnë kuqeblutë. Sipas shkodranit, “ngërçi” i ekipit është më tepër në aspektin psikologjik dhe atë të mentalitetit sesa nga ana sportive. Bashi këshillon futbollistët të gjejnë dëshirën dhe egon e munguar në këto javë, teksa ka besim se me cilësitë e skuadrës, titulli kampion është një objektiv i arritshëm.
Si e komenton këtë disfatë të fundit të Vllaznisë ndaj Bylisit?
Jo çdo herë një ndeshje do të shkojë siç e planifikon apo e mendon para fillimit të saj. Ka faktorë të ndryshëm që gjatë zhvillimit të 90 minutave bëjnë që fitorja të mos shkojë tek ai ekip që duket favorit në letër. E tillë ishte edhe humbja e fundit e Vllaznisë në Ballsh, që, në mendimin tim, u vendos nga disa episode, të cilat po penalizojnë ekipin e Vllaznisë në javë.
Mundet kjo Vllazni të fitojë titullin në fund?
Patjetër që besoj, sepse edhe sezonin e shkuar Vllaznia i shkoi afër. Ku vetëm nga një barazim me Egnatian që ishte më pas kampione u eleminua për të shkuar në finale. Uroj që ekipi në këto 3 ndeshje të marrë 9 pikët sepse do e ndihmonin shumë për kapjen e vendit të dytë. Pozicion që të jep një avantazh të konsiderueshëm në ndeshjen e parë të “Final 4”, sepse luan për barazim dhe mund të jesh disi komod në atë duel, pavarësisht se edhe renditja në vendin e dytë nuk të jep asnjë lloj garancie në “Final 4”.