Joshja për të parë Lionel Messin në fushë duket se nuk ka kufinj. Sezoni i parë i plotë në MLS pritet të jetë fantastik për sulmuesin argjentinas, që ende pa zbritur në fushë këtë vit ka vendosur rekordin e parë.
Bëhet fjalë për biletat e sfidës së parë, asaj debutuese mes Los Angeles Galaxy dhe Inter Miami, biletat e së cilës janë shitur vetëm për 6 minuta. Interes i lartë nga ana e tifozëve të dy skuadrave, që duan të shikojnë në aksion Messin, por edhe yje të tjerë të futbollit amerikan, si Luis Suarez, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.
Në total, stadiumi i Galaxy ka një kapacitet prej 27 mijë vendesh. E thënë ndryshe, kjo përballje ka shitur rreth 4500 bileta për një minute, teksa biletat më të shtrenjta kapën vlerën 1 mijë e 500 Dollarë. Ndërkaq, tifozët vendas garantuan vendin në stadium për 6 ndeshjet e para të Galaxy në shtëpi për një paketë ofertë që kushtonte 59 Dollarë.
Një kohë rekord për kampionatin amerikan të futbollit, pasi Los Angeles thyen rekordin që e kishte vendosur skuadra e Dallas. Asokohe, 20.500 biletat e përballjes me Inter Miami u shiten për 18 minuta. Ndeshja mes Los Angeles Galaxy dhe Inter Miami është planifikuar të zhvillohet më 25 Shkurt, e cila do të jetë edhe ajo debutuese për këtë sezon në MLS.