Duke qenë se nga gabimet nxirren mësime, gjithmonë nëse shitja e Neymar për 222 milionë euro te Paris SG, mund të quhet një gabim, Barcelona ka blinduar të gjitha “yjet” e ekipit me disa klauzola të çmendura për prishjen e kontratës para kohe.
Me fjalë të tjera, për të marrë një futbollist nga Barcelona duhet të ulesh në tratativa me presidentin Bartomeu dhe t’i marrësh leje atij, sepse për t’i rrëmbyer dikë si në rastin e Neymar, pagesa duhet të jetë stratosferike.
“Marca” ka publikuar sot një artikull ku tregon klauzolën për prishjen e kontratës së secilit prej titullarëve, nga 700 milionë euro që duhet për të liruar Leo Messi, te 125 milionë euro që duhen për Rakitic.
I fundit në radhë kohor që rinovoi marrëveshjen me klubin katalans ishte Umtiti. Klauzola për prishjen e kontratës së francezit është 500 milionë euro.
Përpara tij kishte ndodhur, në rend kohor, e njëjta gjë me Ter Stegen (180 milionë euro), Sergi Roberto (500 milionë euro), Pique (500 milionë euro), Jordi Alba (150 milionë euro), Busquets (200 milionë euro), Dembélé (400 milionë euro), Coutinho (400 milionë euro) dhe Suarez (200 milionë euro). Totali, rreth 4 miliardë euro, më saktësisht 3.9 miliardë, pesë herë më shumë se sasia që paguan kinezët për të blerë MIlan, sa për të dhënë një shembull./telesport/