Fortaleza përjetoi një natë makthi në fund të barazimit 1-1 ndaj Sport Refice, e vlefshme për “Copa do Nordeste”. Skuadra braziliane, menjëherë pas ndeshjes së luajtur në “Pernambuco Arena”, u largua nga stadiumi në bordin e autobusit të vet, por befas shpërtheu “ferri”.

Autobusi nisi të goditej me gurë dhe bomba letre. Brenda pati panik, me copat e xhamave që fluturonin gjithandej dhe në mënyrë të pashmangshme godisnin lojtarët, stafin, menaxherët dhe trajnerët. Bilanci? 6 lojtarë të Fortaleza përfunduan menjëherë në spital.

“Ne u sulmuam me bomba dhe gurë nga tifozët kundërshtarë, teksa u larguam nga ‘Pernambuco Arena’, pas ndeshjes së ‘Copa do Nordeste’, – shkruan Fortaleza menjëherë pas asaj që ndodhi. – Të lënduarit u dërguan shpejt dhe direkt në spitalin më të afërt, në Recife. Gjashtë lojtarë u lënduan.

Portieri João Ricardo u plagos me një prerje në vetull, mbrojtësi i majtë Gonzalo Escobar pësoi një goditje në kokë, një prerje në gojë dhe një prerje tjetër në vetull. Dude, Titi, Brítez dhe Sasha u plagosën nga copa xhami”.

Fortaleza ka publikuar një video në profilin e saj social, ku shfaqen pamje të kësaj nate të frikshme. “Sportistët e tjerë do t’i nënshtrohen trajtimit mjekësor për të hequr copat e xhamit nga trupi i tyre”, – mbyllet shënimi i klubit, i cili jepte të dhëna specifike për atë që kishte ndodhur.

Në pamjet e paraqitura, pjesa e brendshme e autobusit është si një skenë tmerri. Kudo ka gjak, pothuajse në të gjitha sediljet. Lojtarët përpiqen të inkurajojnë njëri-tjetrin ndërsa presin të transportohen në spitalin më të afërt.

Nuk vonoi tërbimi i presidentit të Fortaleza, Marcelo Paz, menjëherë pas asaj që ndodhi. Ai pret dënim shembullor: “Duhet të ketë një ndëshkim të vërtetë, mos prisni derisa dikush të vdesë. Ata hodhën një bombë.

Pse dikush që hedh bomba në stadium është i ndryshëm nga dikush që bën të njëjtën gjë në rrugë? Pse këta njerëz e bëjnë këtë në të gjithë Brazilin dhe nuk arrestohen? Është koha të ndalemi, vërtet”. Federata braziliane premtoi dënime shumë të rënda për përgjegjësit, sapo të identifikohen./telesport/