Sindrit Guri në verë pritet të largohet nga Shqipëria, sigurisht për ofertën e duhur.

Nga Koreja e Jugut erdhën miliona për Kukësin, por sulmuesi shkodran kërkon të luajë në Europë.

Deri më tani ai ka shënuar 12 gola në kampionat në tre fazat e para, teksa nuk ka humbur asnjë takim.

Sulmuesi është kthyer në një lider për ekipin e drejtuar nga Peter Pacult, i cili mendon se Guri mund të zhvillohet edhe më shumë, pasi i ka cilësitë për ta bërë diçka të tillë.

Por ka një gjë absurde në kontratën e tij me Kukësin, pasi raporti mes pagës së tij dhe klauzolës për largimin është shumë i madh.

Nëse kolegët e tij paguhen shumë, për shkodranin e sulmit paga duhet thënë se është modeste, sidomos nëse e krahason me sulmuesit e tjerë që luajnë në Superiore.

Ndoshta vetëm te Lushnja marrin më pak se ai, pasi për Gurin përfitimi mujor shkon në 2 milionë lekë.

Sigurisht kjo vjen prej faktit që Kukësi e mori atë vjet pas një eksperience te Korabi në Kategorinë e Parë, ku kishte shënuar 20 gola dhe i ndihmoi dibranët të ngjiteshin në Superiore.

Gjithsesi kontrata e tij e re normalisht që do ta kënaqë atë edhe më shumë financiarisht, pasi paraqitjet e tij janë shumë të mira dhe karrierën pritet ta vazhdojë jashtë vendit, ku minimalisht përfitimi sezonal do të shkojë në 100 mijë euro.

Le të kalojmë nga rroga te klauzola. Një lojtar i vlerësuar nga Kukësi me 2 milionë lekë pagë mujore ka një klauzolë prej 1 milion eurosh, që sigurisht zor të paguhet për një lojtar të Kategorisë Superiore.

Është folur shumë për transferimin e Peter Olayinka për vlerën e 1.1 milionë eurove, por kanë qarkulluar edhe vlera të tjera më të ulëta.

Gjithsesi, tjetër histori ajo. Për Gurin arkëtimi i 300 mijë eurove nga Kukësi do të ishte një shifër e mirë, por sigurisht që mund të marrin edhe më shumë, nëse kontrata e re mes palëve është reale, pasi sikurse dihet në verë mbyllej ajo e nënshkruar në verën e vitit 2016. /EDS/