Vetëm pak muaj dhe atij i është dashur të bëjë një ndryshim rrënjësor në karrierën e tij. Por edhe në mënyrën e jetesës, të të stërviturit dhe shumë gjëra të tjera. E kemi fjalën për volejbollistin shkodran Anton Qafarena. Nga Vllaznia tashmë siç dihet ka kaluar tek ekipi gjerman Voleyball Bisons Buhl me të cilin pak ditë më parë është kualifikuar për në finalen e Kupës së këtij vendi. 20 vjeçari shkodran ka qenë një ndër më të mirët në ndeshjen gjysmëfinale duke u shndërruar në protagonist të ekipit të tij.
Po si ja ka arritur ai të shndërrohet në një lojtar të rëndësishëm brenda vetëm pak muajsh? Natyrisht vetëm prej punës së bërë në stërvitje. Dhe e dini sa orë stërvitet në ditë Qafarena? Këtë gjë e thotë vetë ai në një prononcim ekskluziv për gazetën “Shkodra Sport” kur deklaron: “Nëse kam arritur t’i përshtatem këtij niveli të lartë që ekziston këtu në Gjermani, ia kam dalë vetëm falë punës. Për fat të mirë, gjërat kanë shkuar ashtu si duhet dhe jam përshtatur shpejt. Natyrisht nuk ka qenë e lehtë sepse vija nga Shqipëria ku niveli i volejbollit është thuajse amator. Siç e dini, në vendin tonë sportistët nuk e kanë prioritet sportin. Stërviten një orë e gjysëm apo maksimumi dy orë në ditë ndërsa këtu është histori tjetër.
A e dini sa orë stërvitem në ditë? Shtatë orë. Po, po, shtatë orë. Mos u habisni. Tre ditë të javës, ekipi bën tre seanca stërvitore ndërsa dy ditë të tjera nga dy orë. E fillojmë në nëntë të mëngjesit të parën dhe kur mbërrij në darkë në shtëpi, nuk më bie ndër mend për asgjë tjetër vetëm të përfundoj në shtrat e të pushoj sepse nesër më pret e njëjta gjë. Po nuk ritmin e skuadrës nuk mund të ecë përpara. Po ju them se në skuadër jemi plot 8 lojtarë të huaj. Jam unë, një ukrainas, një rus, një suedez, një kubanez, një argjentinas, një luksemburgas dhe një japonez.
Shto edhe vetë lojtarët gjermanë dhe secili dëshiron të luajë. Mjafton një paraqitje e dobët dhe askush nuk e ka më mendjen tek ti. Menjëherë hyn tjetri në lojë sepse edhe ai punon për këtë gjë. Prandaj, më duhet të punoj fort dhe të përshtatem me këtë gjë sepse vetëm kështu, mund të arrij atë çfarë kam unë objektiv. Të luash në Gjermani, në një nga katër kampionatet më të forta të Europës, nuk është aspak e lehtë dhe jam shumë i lumtur që jam përshtatur kaq shpejt, ndonëse më është dashur të lodhem shumë”. Sigurisht që kjo është një sakrificë e madhe dhe ndonëse ka dashur që këto ditë të jetë pranë familjes në Shkodër për të festuar festat e fundvitit, nuk ka mundur dot. “Kam ndeshje më 27 dhjetor dhe po ashtu edhe më 4 janar. Nuk kam kohë të marr as frymë”- thotë me humor Antoni që e ka nisur karrierën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme duke u bërë shumë shpejt protagonist në Bundesligën gjermane.
© shkodrasport.com