Është një nga vendet më të varfër në Afrikë, aty ku mungesa e ushqimit vret mijëra fëmijë, por presidenti i Ruandas ka vendosur që të shpenzojë dhjetë milion euro në vit për të sponsorizuar Arsenalin.
Marrëveshja e arritur tashmë mes palëve ka të bëjë me emrin e shtetit afrikan, i cili do të shfaqet në mëngët e fanellës së “Topçinjve”.
Sponsorizimi do të jetë i vlefshëm për tre vite, kështu që do t’i kushtojë këtij shteti të varfër 30 milion euro. “El Pais” sot ka bërë me dije se ky shtet që është në vështirësi ekonomike dhe nga më të varfrit në Afrikë, ka vendosur që të bëhet sponsori i Arsenalit.
Paul Kagame, presidenti i Ruandës, është një mbështetës i betuar i Arsenalit. Ai ka 18 vite që është në këtë rol në shtetin e tij, ndërsa nuk e ka mohuar asnjëherë pasionin për të mbështetur Arsenalin.
Kur londinezët u eliminuan nga Atletico Madrid në gjysmëfinalen e Europa League, që pasoi me dorëheqjen e Aresene Wenger, Kagame shkroi: “Fundi për një njeri të tille nuk duhet të kishte qenë ky”.
Pavarësisht se ka pasur protesta ndaj këtij vendimi, Kagame ka arritur më në fund që të bëjë realitet marrëveshjen e sponsorizimit me Arsenalin.
Por, çuditërisht Britania e Madhe është një nga shtetet që investon më shumë se 60 milion euro në vit për projektet e zhvillimit të këtij vendi afrikan.
Sipas të dhënave të OKB-së, 60% e popullsisë Ruandës jeton me më pak se 1.6 euro në ditë, varfëria është e përhapur, me një ndikim të veçantë te fëmijët, dhe të ardhurat për frymë janë rreth 700 euro në vit, megjithëse është një nga vendet afrikane që janë në një moment të mirë zhvillimi.
Arsenali ka sponsor zyrtar kompaninë e fluturimeve Fly Emirates, e cila paguan 34 milion euro në vit në shkëmbim të reklamës, ndërkohë që do të shoqërohet edhe nga Ruanda në mëngët e fanellës.
Megjithatë, parlamenti holandez, i cili ka dhënë ndihma financiare në Ruanda, e ka denoncuar këtë kontratë.
Marrëveshja përbën 17% të buxhetit kombëtar të Ruandas, ndërsa disa vite më parë ishte e vlefshme me 80% të saj.
Por, Kagame argumenton se reklama në fanellë është e rëndësishme për të promovuar turizmin në Ruanda, pasi gjatë vitit të fundit të ardhurat nga turizmi janë 346 milion euro.
Në vitin 2024 ai dëshiron që të arrijnë mbi 800 milion euro. /EDS/