Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, një ditë përpara ndeshjes Kukësi – Partizanit ka folur për newsport.al, duke filuar nga stadiumi, e deri tek biletat.

Mbrëmjen e djeshme, drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama për newsport.al është shprehur se do të ishte më mirë që ndeshja të mos luhej në Shkodër, por në “Elbasan Arena”, duke qenë se lojtarët e verilindorëve rrinë dhe stërviten në Tiranë.

Gjicit i mjafton vetëm një fjali si kundërpërgjigje.

“Po pse për ne mendon drejtori i Partizanit”? (qesh)

Çmimi i një bilete prej 1 mijë lekësh të reja për Gjicin e ka një shpjegim. Jo vetëm kaq, por edhe për faktin përse kanë zgjedhur të luajnë në Shkodër, përpara se të luanin në Elbasan.

“Biletat nuk janë aspak shtrenjtë, sepse vetëm qeraja e fushës që duhet të paguajmë ndaj Federatës është 5 milionë lekë. Zgjodhëm të luanim në Shkodër, sepse na pëlqen Shkodra. Fusha është më e mirë, pasi në “Elbasan Arena” janë luajtur shumë ndeshje së fundmi”.

Nëse për tifozët e Partizanit bileta është e shtrenjtë, po për të Kukësit? Gjici shprehet se ka kush mendon për tifozët e klubit nënkampion të vendit.

“Ju po thoni që bileta është e shtrenjtë me 1 mijë lekë të reja? Për tifozët e Partizanit e ke hallin ti? Ndërsa, për tifozët e Kukësit mos u bëj merak, ka kush mendon për ta”.