Burreli kërkon arbitra të FIFA-s për takimin e nesërm ndaj Veleçikut ngaqë e konsiderojnë shumë të rëndësishëm dhe vendimtar për të ardhmen e të dy ekipeve. Por ndërkohë në kampin koplikas deklarojnë se nuk ka shumë rëndësi se kush do të jetë arbitër.
Duke folur në lidhje me këtë çështje, njëri nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit koplikas, pikërisht sulmuesi Denis Çokaj është shprehur: “Edhe për ne ka rëndësi që arbitrimi të jetë korrekt. Nuk ka rëndësi nëse është i FIFA-s apo jo, ajo që kërkojmë është një arbitrim të drejtë dhe korrekt në mënyrë që në fushë të fitojë më i miri. Për ne rëndësi ka të marrim rezultat pozitiv”.
Ndërkohë duke folur në lidhje me mundësitë që ka ekipi koplikas për ta fituar këtë takim, Çokaj shprehet: “Normal që kam besim se do të marrim rezultat pozitiv në këtë ndeshje sepse luajmë në fushën tonë dhe do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë të zjarrtë. Padyshim që do të kërkojmë fitoren por edhe me një lojë të bukur”.
Sulmuesi koplikas ka qenë një nga më të mirët e këtij sezoni për skuadrën e tij dhe ndërkohë i pyetur nëse ka realizuar pritshmëritë e tij, ai shprehet:
“E rëndësishme është që të sigurojmë njëherë objektivin që ka skuadra, qëndrimin në kategorinë e parë. Pasi të arrihet kjo, do të jem edhe më shumë i kënaqur me performancën time, megjithatë unë mendoj se kam mundësi të jap edhe më shumë”.
© shkodrasport.com