Mesfushori nga Kopliku Enis Çokaj ka përfunduar periudhën e tij të huazimit te klubi i Laçit dhe tashmë do të kthehet sërish te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci. 20-vjeçari ishte një nga afrimet në muajin janar te skuadra e kurbinasve, në kohën kur në krye të pankinës ishte trajneri Besnik Prenga.

Ndërkohë, Çokaj gjatë këtyre muajve regjistroi 15 paraqitje me fanellën bardhezi. Ishte vetë mesfushori, që nëpërmjet një postimi në Instagram lajmëroi përfundimin e huazimit, teksa falënderoj klubin e Laçit, ndërsa shtoi se eksperienca e parë në Shqipëri ishte fantastike.

“Ishte kënaqësi të isha për kaq kohë pjesë e këtij ekipi të mrekullueshëm. Falenderoj gjithë stafin e Kf Laçit, presidentin dhe trajnerët që besuan tek unë. Falenderoj çunat e ekipit për përkrahjen dhe tifozët për mbështetjen e madhe që na dhanë në çdo ndeshje.

Eksperienca ime e parë në Superligë ishte thjesht fantastike. I uroj ekipit të arrijnë sa më lart në Europë. Jeni më të mirët!
PARA LAÇI”, ishin fjalët e Enis Çokaj.