Milani pësoi një humbje të dhimbshme në shtëpi, 1-0 ndaj Atalantës, dhe e sheh veten në vështirësi përsa iu përket planeve për Europën. Tani vetëm një fitore në derbi, që vlen kualifikimin në finalen e Kupës së Italisë, mund ta zbusë fundsezonin vërtet të zymtë për kuqezinjtë. Sergio Conceiçao e di këtë, edhe pse nuk i kurseu disa “shkëndija” ndaj zërave që e kanë lënë në hije.

“E ardhmja ime është të përgatitem për ndeshjen me Interin dhe të provoj të fitoj Kupën e Italisë. Nuk e di sa vite kanë kaluar këtu te Milani, nuk janë fituar dy trofe në një sezon. Që pas Superkupës ka nisur të flitet për trajnerin që do të vijë te Milani. Për mua nuk është problem, por nuk ka respekt nëse flitet gjithmonë e vetëm për trajnerin e ardhshëm të Milanit”, – tha portugezi.

Duke analizuar ndeshjen, ai shtoi: “Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, edhe pse ishim më të tërhequr se ç’kishim parashikuar, por Atalanta nuk krijoi raste të vërteta. E nisëm mirë pjesën e dytë, por në herën e parë që ata goditën portën tonë, shënuan. Pikërisht atë mënyrë se si Atalanta na ndëshkoi e kishim analizuar më parë”.

Pastaj një kritikë për të tijtë: “Të shpërqendruar, me mendjen te gjysmëfinalja e kthimit e Kupës së Italisë ndaj Interit? Ndeshja më e rëndësishme është ajo që po luhet. Na mungoi pak agresiviteti në fund”.