Sergio Conceição, trajneri i Milanit, foli për “Milan TV”, menjëherë pas fitores 3-0 në derbin ndaj Interit, që iu dha kuqezinjve biletën për finalen e Kupës së Italisë: “Sot ishim një skuadër e vërtetë. Nuk është se herët e tjera nuk ishim, por në fund gjithmonë dilnin në pah detaje negative.
E përgatitëm mirë ndeshjen, me përulësinë e atyre që e dinin se përballeshin me një kundërshtar shumë të madh. Tani duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë për të shkuar në Romë dhe fituar trofeun e dytë sezonal.
Kur kemi shpirtin e duhur, edhe episodet pozitive vijnë. Kundër Atalantës po dominonim, pastaj pësuam një gol që ndryshoi rrjedhën e lojës. Sonte patëm një kompaktësi të madhe deri te goli i avantazhit. Vazhduam përpara, iu thashë 2-3 gjëra për ta përmirësuar lojën dhe djemtë i zbatuan”.
Në këtë mbrëmje, protagonisti kryesor pa dyshim ishte Luka Jovic, i cili, falë një dopiete, iu dha triumfin kuqezinjve. Një lojtar të cilit Conceição i dha besim, edhe pse ka kaluar vështirësi gjatë muajve të kaluar: “Jovic po punon shumë mirë, po jep maksimumin. Ka humbur pak peshë dhe po na jep atë që na nevojitet në fushë. Kishim nevojë për mbështetje nga ai, sepse mund të na krijojë hapësira në korridoret e qendrës.
Sulmuesit e tjerë nuk duhet të mendojnë se nuk kam besim tek ata, sepse unë vendos se kush të luajë sipas karakteristikave të kundërshtarit. Në ndeshjen e fundit mendova ta aktivizoja Luka titullar, ashtu si Tammy bëri mirë ndaj Udines. Na vjen keq që në kampionat nuk arrijmë të zbatojmë atë që përgatitim në stërvitje”.
Për të ardhmen e Conceição, ka ende kohë, sepse para janë disa objektiva për t’u arritur: “Nuk është e rëndësishme e ardhmja ime, e rëndësishme është të fitojmë me Venezia dhe të luajmë finalen në Romë.
Ne ende nuk kemi fituar asgjë, lojtarët janë gjithmonë të njëjtë, prandaj nuk është se gjithçka po shkon shumë mirë tani, ose shumë keq më parë. Tani duhet vetëm të gjendet një ekuilibër, si taktikisht, ashtu edhe emocionalisht”./telesport/