Sergio Conceição, trajneri i Milanit, ishte i pranishëm në konferencën për shtyp në “San Siro” pas ndeshjes Milan-Feyenoord, e vlefshme për kthimin e play-off-it të Ligës së Kampionëve.

Sigurisht që është një dështim, donim të arrinim në 1/8-at e finales. Kjo ndeshje tregoi se jemi më të fortë se kundërshtari dhe se episodet vendosën gjithçka, ashtu si në Zagreb: karton i kuq atje, karton i kuq sot. Mund të thuhet se arbitri ishte shumë i ashpër, por ne duhet të ishim më të fortë mendërisht.

Përgjegjësia është imja, jo e Theos. Pastaj, brenda dhomës së zhveshjes do ta analizojmë. Theo i ka dhënë shumë Milanit, edhe unë kam bërë shumë gabime në karrierën time. Jemi të zemëruar. Deri te kartoni i kuq i Theos, Feyenoordi nuk dinte si të mbërrinte te porta. Jemi të zhgënjyer dhe të inatosur.

Pse e ndërruat Gimenez?

Kishim një lojtar më pak, eh… Pastaj duhej menaxhuar Santi: ai kishte një problem në muskujt e kofshës dhe duhej të ruhej. Vendosa Joao Felix në sulm, i cili ishte në gjendje të mirë, për të provuar kundërsulmet. Por gjithsesi, po e kontrollonim lojën.

A frikësoheni nga pasojat e kësaj humbjeje?

Kam ardhur këtu vetëm një muaj e gjysmë më parë, por më krahasojnë me trajnerë që kanë qenë këtu prej vitesh. Nuk kemi pasur mundësi të punojmë me formacionin titullar, sepse disa lojtarë bëjnë punë të ndryshme. Kemi fituar të vetmin trofe që mundëm, jemi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe në kampionat, që nga ardhja ime, kemi marrë 14 pikë, ndërsa Napoli ka marrë 15. Nuk është perfekte. Atmosfera këtu te Milani nuk është më e mira dhe kartoni i kuq e tregon këtë: duhet të punojmë mbi këtë. Besomëni, nuk është e lehtë, nuk është e lehtë”

Çfarë ndodhi?

Treguam edhe sot që mund të mos pësonim goditje në portë dhe të krijonim raste. Pastaj ndodhi kartoni i kuq i Theos. Dhe kjo na lë vërtet të zemëruar dhe të zhgënjyer. E dini më mirë se unë që duhet ta ndryshojmë këtë ambient. Nuk po flas për tifozët. Për të ndryshuar ambientin, duhet të fitojmë. Tani kemi ndeshjen e radhës në Torino: duhet ta fitojmë këtë, pastaj tjetrën dhe tjetrën pas saj. Dhe të mendojmë për Kupën e Italisë.