Real Madrid është rikthyer te fitoret nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm, Santiago Solari. Këto rezultate pozitive në dy ndeshjet e fundit i kanë dhënë “Los Blancos” qetësinë e nevojshme për të kërkuar për trajnerin e përhershëm.

Mundësia e nënshkrimit me Antonio Conte sa vjen dhe bëhet më e largët, kjo për shkak të kërkesave të larta që ka vendosur italiani. Siç shkruan goal.com, ish-tekniku i Chelseas u ka kërkuar agjentëve të Real Madrid, me të cilët pati kontaktin e parë, nënshkrimin në janar të Icardit dhe Otamendit.

Gjithashtu, përveçse kërkoi një kontratë për tre sezone prej 10 milion euro në vit, Conte ua ka bërë të qartë se dëshiron që të ketë fuqinë absolute për të vendosur për blerjet dhe largimet e sezonit. Emrat e Icardi dhe Otamendi, janë treguesit e parë të kësaj autonomie që ai dëshiron te “Galaktikët”.

49-vjeçari nuk është përjashtuar nga lista e emrave të trajnerëve të “preferuar” të madrilenëve, por kërkesat e tij bien ndesh me filozofinë e klubit. Drejtuesit i japin fuqi trajnerit që të kërkojë përforcime, por në fund veton e ka bordi drejtues.

Otamendi është një qendër mbrojtës që tashmë është 30-vjeç, dhe politika e Real Madrid është që të afrojnë lojtarë të rinj. Sa i përket Mauro Icardi, kjo do të sillte që planet për merkaton e verës, të bëheshin në janar dhe Florentino Perez nuk është gati.