Philippe Coutinho vulos transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez, teksa firmos për Barcelonën për vlerën e 160 milionë eurove. Më në fund plotësohet kështu dëshira e 25-vjecarit të përfaqësueses braziliane, që këmbënguli shumë edhe gjatë verës së kaluar për t’u transferuar në radhët e klubit blaugrana. Coutinho luajti për pesë sezone në radhët e Liverpulit dhe klubi nga Merseyside pagoi në janarin e vitit 2013 thjesht 8.5 milionë stërlina, për mesfushorin me tipare sulmuese, që mund të luajë shumë mirë edhe në krah.

Drejtuesit e “të kuqve” refuzuan fillimisht kërkesën e vetë Coutinho-s në muajin gusht, ndërsa në vazhdim pas këmbënguljes së edhe vetë presidentit të klubit, miliarderit amerikan John Henry, shpërfillën tre herë ofertat që mbërritën nga klubi i famshëm spanjoll. Kushtet e ndryshme të ofruara nga klubi katalanas u refuzuan me insistim nga klubi nga Merseyside, që tani i gëzohet pikërisht shifrave astronomike që kërkoi. Mendohet që në kontratë 120 milionë euro garantojnë shumën bazë të transferimit, ndërsa 40 milionët e tjerë do të jepen në varësi të bonuseve, pra përmbushjes së objektivave dhe arritjeve personale të futbollistit brazilian me ekipin e Barcës. 25-vjecari thyen kështu rekordin e Barcelonës, që mbahej nga sulmuesi francez i ardhur nga Borusia e Dortmundit Ousmane Dembele, për të cilin u paguan 105 milionë euro, por gjithashtu edhe rekordin britanik, që ishte vendosur nga një tjetër francez, Paul Pogba, për të cilin Manchester United shpenzoi po 105 milionë euro. Përpara Coutinho-s natyrisht mbetet Neymar, që u transferua verën e kaluar nga Barca te Paris SG për shifrën rekord 222 milionë euro, megjithatë ndonëse për momentin luan te ekipi parizien në formë huazimi, për shkak të fair play-t financiar, në fund të sezonit lojtari brazilian do të kalohet gjithashtu edhe nga Kylian Mbappe, për të cilin miliarderët nga Katari kanë rënë dakord për të paguar plot 180 milionë euro. Philippe Coutinho e veshi për herë të fundit fanellën e Liverpulit më datë 30 dhjetor në Anfield në fitoren 2-1 ndaj Leicester City-t, por mungoi në dy ndeshjet e para të këtij viti për skuadrën e Jurgen Klopp, për shkak të një dëmtimi.

Trajneri gjerman dhe përkrahësit e zjarrtë të klubit nga Merseyside shpresonin shumë që Coutinho të mbyllte sezonin me “të kuqtë”, por me sa kuptohet influencoi ndjeshëm pikërisht dëshira e vetë futbollistit brazilian, që numëon 54 gola në 201 ndeshjet e zhvilluara në të gjithë kompeticionet me fanellën e Liverpulit, ndërkaq në fund vlen të theksohet që Barcelona në krahun tjetër shpenzoi një shifër të tillë të jashtëzakonshme, për një lojtar të cilin nuk mund ta përdorë dot në Champions League, pasi në fazën e grupeve 25-vjecari rezultoi përcaktues për “reds”-at, duke kontribuar madje edhe me 5 gola dhe 2 asist.