Ndërprerja e kampionateve për shkak të COVID-19 ka krijuar kaos në futbollin botëror e aq më shumë në atë shqiptar që shoqërohet si zakonisht me problematika të veçanta. Me ndërprerjen e garës, kur mbeten edhe 10 javë për t’u luajtur, situata bëhet shumë e paqartë dhe në rast rifillimi të saj, shumë e çuditshme.
FSHF pret të mësojë nga UEFA të martën rreth asaj që do të ndodhë me kalendarin ndërkombëtar, para se të fillojë të planifikojë se çfarë do të bëjë vetë me kampionatin kombëtar, pasi përtej caktimit të titullit dhe rënies, duhen caktuar edhe skuadrat të cilat teorikisht do të luajnë në Kupat e Europës në sezonin e ardhshëm.
Mosprania në turnetë ndërkombëtarë do të ishte goditja më e rëndë për skuadrat shqiptare, pasi dihet që pjesa më e madhe e parave që vijnë në futbollin e vendit tonë, janë nga të ardhurat që sigurohen nga UEFA.
Por nëse kampionati rifillon shumë vonë, pas rreth dy muasjh siç parashikohet, klubet do të përballen me një situatë shumë të pazakontë, pasi disa prej tyre nuk do të kenë lojtarë për të luajtur ndeshjet.
Zakonisht, klubet shqiptare bëjnë kontrata afatshkurtra njëvjeçare dhe për të kursyer një rrogë moijare dhe për të mos ua paguar, nuk i mbyllin ato me 30 qershor si e gjithë bota, por me 31 maj.
Sipas të gjitha gjasave, nëse do të rifillojë kampionati, do të luhet edhe në qershor e korrik, duke bërë që shumë prej klubeve të mos kenë më zyrtarisht lojtarë nën kontratë. Këtë situat do ta përjetojnë nga Tirana kryesuese deri te Flamurtari i vendit të fundit dhe të gjithëve do t’u duhet të rinegociojnë marrëveshje me futbollistët qoftë edhe për të mbyllur këtë edicion anormal futbollistik, gjithmonë nëse ai do të rifillojë. /vipsport/