Prozhektorët janë mbi Cristiano Ronaldon. Ylli portugez, pas një karriere legjendare jo vetëm me Manchester United dhe Real Madridin, prej dy vitesh po kalon pjesën më të madhe të jetës së tij në Arabinë Saudite, duke luajtur për Al Nassr. 40-vjeçari (do t’i mbushë më 5 shkurt) sapo ka shënuar golin e tij të 923-të, duke luajtur nën drejtimin e Stefano Piolit. Ai ka dhënë një intervistë për “Los amigos de Edu” në “La Sexta”.
Së pari foli për eksperiencën e tij në Arabinë Saudite dhe në “Saudi Pro League”, pasi la pas Europën e dashur: “Më pëlqen shumë kjo përvojë. Ndihem shumë mirë këtu me familjen time. Jam një person që i pëlqejnë sfidat dhe gjërat e reja. Objektivat e mëdha nuk më trembin, edhe eksperienca e ardhjes në Arabinë Saudite nuk më ka bërë të shqetësohem. E dija si ishte liga këtu falë shumë portugezëve që kishin luajtur më parë”.
Sa i përket famës së tij të jashtëzakonshme, CR7 u shpreh: “Kur dëgjoj një kritikë, edhe nëse ka 100 komente pozitive dhe vetëm një negativ, unë përqendrohem tek ai negativi. Nuk është faji im që jam më i famshmi, kjo është pjesë e jetës sime. Nuk besoj se fama ime do të zhduket apo që një ditë askush nuk do të më njohë. Kjo është diçka e pamundur. Jam i lumtur me gjithçka që më ka ndodhur. Unë shoh çfarë është e mundur të bëhet”.
I lodhur nga kaq shumë gola? Përgjigjja e tij është tipike e CR7: “Njerëzit janë pak të fiksuar me 1000 golat, edhe pse e di që është faji im. Sidoqoftë, ata nuk e vlerësojnë momentin tim aktual. Nuk më pëlqen që flitet kaq shumë për këtë, gjërat duhet të ndodhin natyrshëm. Lojtari më i mirë i historisë jam unë. Numrat janë aty”.
Për Ronaldon nuk ka rëndësi vendi ku luan, për sa kohë që ka pranë familjen e tij: “E vetmja gjë që më intereson tani është të jem me familjen dhe fëmijët e mi, të kemi gjithçka që një familje mund të ketë për të qenë mirë”.
Edu Aguirre, një mik i ngushtë i Cristiano Ronaldos, e pyeti në mënyrë më personale se si ndihet aktualisht dhe si e sheh të ardhmen e tij në futboll. Portugezi mbush 40 vjeç më 5 shkurt, por për të futbolli nuk është barrë, thjesht do përkushtim: “Çdo mëngjes zgjohem me dëshirën për t’u stërvitur dhe luajtur. Nuk është njësoj si më parë, por pasioni mbetet i njëjtë”.
Lidhur me largimin nga futbolli, ai tha: “Historia ime është tashmë e shkruar dhe mund ta lija futbollin sot pa asnjë pendesë, por mendoj se do të ishte për të ardhur keq, sepse ende ndihem mirë”.
Ai gjithashtu theksoi se “mund të vazhdoj të bëj diferencën edhe për një ose dy vite të tjera”.
Një nga frazat që e përsëriti shpesh gjatë intervistës ishte se përpiqet të mos mendojë shumë për të ardhmen, por të fokusohet në të tashmen: “Jetoj shumë të tashmen, nuk mund të mendoj në plan afatgjatë, sepse ka gjëra që kanë ndodhur në jetën time, që më kanë bërë ta ndryshoj këtë mënyrë të të menduarit”.
I pyetur se si ndjehet si një nga njerëzit më të njohur në botë, Cristiano u përgjigj se nuk është diçka që e shqetëson: “Vlerësoj atë që mund të bëj, atë që më bën të lumtur dhe kush më bën të lumtur. Nuk është faji im që jam më i famshmi ose më i ndjekuri, janë gjëra të jetës dhe jam mësuar me to, por kjo nuk më bën ndryshe nga të tjerët”.
Megjithatë, ai pranoi se është shumë konkurrues, deri në atë pikë sa nganjëherë harron të vlerësojë gjithçka që ka arritur në karrierë. Ai shtoi se, ndryshe nga lojtarët e tjerë të moshës së tij, që do të kishin dalë në “pension”, ende ka pasion dhe dëshirë për të vazhduar: “Për këtë arsye jam ndryshe nga të tjerët. Nuk kam nevojë të mburrem, por nëse e bëj, është sepse është e vërtetë, dhe nuk duhet të kem turp për këtë”.
Sa i përket Botërorit 2026, ai shtoi: “Nuk më pëlqen të mendoj afatgjatë, por gjithçka tregon se do të jem atje. Do të më pëlqente të isha, por nuk jam i fiksuar pas kësaj”.
Cristiano ka menduar për të ardhmen e tij prej vitesh: “Që nga mosha 28-vjeçare po përgatitem për të ardhmen me projekte që më motivojnë dhe që mund të ndihmojnë shoqërinë dhe të rinjtë, jo vetëm në nivel biznesi”.
Por një gjë është e sigurt, nuk dëshiron të jetë trajner: “Nuk dua të jem trajner, më duket pothuajse e pamundur. Kam luajtur dhe jam stërvitur gjithë jetën, por mendoj se të qenit trajner është edhe më e vështirë se të qenit lojtar dhe personaliteti im nuk do të përshtatej”.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” vlerësoi disa nga yjet aktualë të Real Madridit: “Mbappé? Nuk kam dyshim që do t’i sjellë shumë suksese Real Madridit. Është një lojtar i jashtëzakonshëm.
Vinícius? Duhej ta fitonte ‘Topin e Artë’ në vitin 2024. Këto çmime e kanë humbur besueshmërinë. Bellingham? Ka një të ardhme spektakolare dhe do ta ndihmojë shumë Real Madridin”.
CR7 tha se “Spanja është shtëpia ime” dhe se gjithmonë do ta ketë Real Madridin në zemër. Lidhur me një rikthim në “Santiago Bernabéu”, ai u shpreh: “Nuk e përjashtoj. Ndoshta pas karrierës si futbollist do të bëj diçka të bukur atje”.
Portugezi e uli peshën e rivalitetit me Messin: “Për 15 vite ndamë skenën e çmimeve dhe gjithmonë kemi pasur një marrëdhënie të mirë. Po e përktheja atë në anglisht në një ceremoni çmimesh, gjithashtu. Ishte një rivalitet i shëndetshëm, u morëm vesh mjaft mirë”.
Lidhur me përvojën e tij në “Camp Nou”: “Më pëlqente të luaja atje. Më fishkëllenin, më fyenin…, por sërish më pëlqente të luaja në atë stadium”.