Dean Liço mund të largohet nga Skënderbeu në fund të këtij sezoni. Kapiteni i korçarëve mund të provojë një eksperiencë jashtë Shqipërie, teksa tashmë oferta e parë për shërbimet e tij ka mbërritur në zyrën e Ardjan Takajt.

Sipas shtypit të shkruar bëhet me dije se për të ka një ofertë nga skuadra e CSKA Sofia. Skuadra bullgare e pëlqen shumë Liçon, i cili këtë sezon me “Ujqërit e Dëborës” është një titullar fiks në formacionin e Ivan Gvozdenovic.

Siguria, talenti, qetësia në mesin e fushës, driblimet, pasimet e sakta dhe kualiteti që ky futbollist zotëron ka bërë që ekipi bullgar ta ketë pjesë të listës për të përforcuar skuadrën për sezonin e ri. Ende nuk bëhen të ditura detajet e ofertës dhe cilat janë shifrat e saj, por e sigurt është që Takaj do të mbushë “arkat” e klubit nga shitja e 24-vjeçarit.

Siç dihet prej vitesh tashmë, korçaret janë një prej ekipeve që ia dalin shumë mirë të promovojnë dhe shesin lojtarë, duke përmirësuar ndjeshëm financat e klubit. Në korçë shpresojnë shumë të arrihet një marrëveshje, e cila për Liçon do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e tij futbollistike.

Në këtë sezon mesfushori me fanelën e Skënderbeut ka luajtur në 34 ndeshje, ku ka shënaur 4 gola dhe ka dhuruar edhe 4 asiste. Ndërkohë kujtojmë se me korçarët ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2025.