“Kush ka qenë në Kukës?”. Kështu titullohet një artikull i shfaqur së fundmi në faqen e “Frankfurter Allgemaine”, i shoqëruar nga fotoja e Peter Pakult.

Artikulli në fjalë flet si për faktin se trajneri austriak drejton skuadrën e këtij qyteti, ashtu edhe me një lidhje të çuditshme që ai mund të ketë me… Diego Maradonën.

Artikulli tregon se si Kukësi është një qytet në zhvillim e për të treguar këtë, së shpejti do të vihet në punë edhe aeroporti i ri, i cili ka emrin “Sheikh Zayed International Airport”, falë investitorëve nga Gjiri Persik që po merren me ndërtimin dhe investimet për ta vënë atë në punë, brenda fundit të këtij viti.

Por çfarë hyn Maradona këtu? Artikulli në fjalë saktëson se skuadra e futbollit, ajo e drejtuar nga Pakult, mund të shfrytëzojë këtë aeroport tani e tutje për të udhëtuar jashtë, drejt vendeve të tjera europiane për aktivitetet ndërkombëtare.

“Futboll Klub Kukësi me të madhin Peter Pakult mund të udhëtojë shumë shpejt nga ‘Sheikh Zayed International Airport’ të luajë për shembull me Futbolnij Club Dinamo Brest në Bjellorusi.

Atje, i madhi Diego Armando Maradona u emërua si president dhe, çfarë koincidence, stadiumi u riemërua ‘Sheikh Zayed Stadium’”, shpjegohet në këtë artikull se si në vende të ndryshme të botës emri i Sheikut Zajed është kthyer ndër më të famshmit falë investimeve që po bën në futboll.

Kush është Sheiky Zajed? Besoj e njihni të gjithë të birin, sheikun Mansur që kontrollon Mançester Sitin, Melburn Sitin dhe Nju Jork Sitin, të gjitha me qëllimin për të rritur sa më shumë prestigjin e familjes nga Emiratet e Bashkuara Arabe. /vipsport/