Kryesimi i La Liga-s është shumë i ngushtë, me vetëm 10 ndeshje të mbetura deri në përfundimin e sezonit 2024-2025. Barcelona kryeson tabelën bashkë me Real Madridin, megjithëse katalanasit kanë një ndeshje të prapambetur kundër Osasunës në Montjuïc (më 27 mars). Atletico Madridi, që ndjek nga vendi i tretë, është 4 pikë larg kreut, pas humbjes në shtëpi (2-4) ndaj ekipit të Hansi Flick.
Pavarësisht një karriere të suksesshme me 31 trofe zyrtarë, statistikat tregojnë se Carlo Ancelotti has vështirësi në fitimin e kampionateve. Në gati 30 vite si trajner në nivelet më të larta, ai ka fituar gjithsej 6 tituj kampioni kombëtar: 2 me Real Madridin (2021-22 dhe 2023-24) dhe nga një me Milanin (2003-04), Chelsea (2009-10), PSG-në (2012-13) dhe Bayern Munich (2016-17). Jo aq shumë sa mund të mendohej.
Megjithatë, italiani 65-vjeçar mund të mburret si i vetmi trajner në histori që ka fituar titullin e 5 ligave më të mëdha të Europës: Spanjë, Angli, Itali, Gjermani dhe Francën. Kuriozisht, ai ka fituar më shumë Liga të Kampionëve (3) sesa La Liga me Real Madridin (2). Edhe me Milanin ai fitoi më shumë Champions League (2) sesa tituj të Serie A (1).
Pas debutimit si trajner me Reggiana në Serie B (1995-96) dhe promovimit në elitë si ekipi i katërt më i mirë, “Carletto” firmosi me Parmën, ku përfundoi i gjashti dhe më pas i dyti në Serie A.
Sfida e tij e parë e madhe si trajner ishte Juventusi. Atje mbërriti si zëvendësues i Marcello Lippit në shkurt të vitit 1999, por nuk pati sukses (fitoi vetëm Kupën Intertoto). Në tri sezonet e tij me bardhezinjtë, përfundoi një herë në vendin e gjashtë dhe dy herë i dyti në Serie A.
Në nëntor të vitit 2001, Ancelotti zëvendësoi turkun Fatih Terim në pankinën e Milanit, klubin e tij të zemrës, por arriti të fitonte vetëm një ‘Scudetto’ (2003-04), duke lënë pas Romën. Megjithatë, ai humbi qartësisht në shtatë kampionate të tjera përballë Interit (4 herë) dhe Juventusit (3 herë). Në Champions League, ai ishte më i suksesshëm, duke fituar dy tituj (2002-03 dhe 2006-07).
Eksperienca e tij e parë jashtë Italisë ishte në Angli me Chelsea. Në sezonin e tij të parë fitoi Premier League (2009-10), me vetëm një pikë më shumë se Manchester United, ndërsa në sezonin e dytë përfundoi nënkampion, 9 pikë prapa “Djajve të Kuq”.
Më 30 dhjetor 2011, PSG i besoi pankinën pas shkarkimit të Antoine Kombouaré. Në Ligue 1, ai përfundoi në vendin e dytë pas kampionit Montpellier dhe fitoi titullin e kampionit në sezonin 2012-13, me 12 pikë avantazh ndaj Marseille. Ancelotti e riktheu PSG-në te titulli i Ligue 1 pas 19 vitesh pritje.
Eksperienca e parë e Ancelottit në pankinën e Real Madridit rezultoi zhgënjyese në La Liga. Kjo për shkak se përfundoi i treti, me 3 pikë pas kampionit Atletico Madrid (2013-14) dhe i dyti, me 2 pikë pas Barcelonës (2014-15). Megjithatë, ai fitoi Champions League në vitin 2014.
Në sezonin 2016-17, Ancelotti zbarkoi te Bayern Munich. Në sezonin e tij të parë fitoi Bundesligën, duke lënë 15 pikë prapa Leipzig, por në sezonin e dytë u shkarkua pas vetëm 6 javësh, pas humbjes 3-0 kundër PSG-së në Champions League.
Më pas u rikthye në Itali për të marrë drejtimin e Napolit, me të cilin përfundoi nënkampion i Serie A në sezonin 2018-19, 11 pikë pas Juventusit. Një vit më vonë u shkarkua pas javës së 7-të të kampionatit. Destinacioni i tij i ardhshëm ishte Premier League, ku në dhjetor të vitit 2019 zëvendësoi Marco Silva tek Evertoni, por nuk arriti ta kualifikonte ekipin për në Europë.
Në verën e vitit 2021, ai u rikthye te Real Madridi dhe shtoi dy tituj të rinj të Champions League (2022 dhe 2024) në koleksionin e vet të lavdishëm. Ancelotti fitoi gjithashtu dy La Liga (2022 dhe 2024), duke mposhtur Barcelonën me një diferencë të madhe pikësh, megjithëse katalanasit u hakmorën në vitin 2023 me një titull të fituar po me avantazh të madh.
Në këtë sezon, Ancelotti, trajneri më i suksesshëm në historinë e Real Madridit (15 trofe), ka një sfidë të madhe: të fitojë dy kampionate radhazi për herë të parë në karrierën e tij të shkëlqyer, por këtë herë me Barcelonën e Flick dhe Atletico Madridin e Simeones si rivalë të fortë./telesport/