Mirel Josa ka nisur një aventurë të re në pankinë vetëm një ditë pasi i kishte dhënë lamtumirën Vëllazënimit që luan në kategorinë e dytë në Kosovë. Trajneri i njohur ka vendosur që të vazhdojë të punojë në Kosovë, por këtë radhë në Superligë.

Klubi i Suharekës ka bërë zyrtar emërimin e tij në pankinën e skuadrës e cila ka ambicie që të kthehet mes atyre që pretendojnë për një vend në Europë dhe për trofe në të ardhmen.

“Mirësevjen, Profe!

FC Suhareka ka arritur marrëveshje me trajnerin e njohur Mirel Josa, i cili nga sot merr drejtimin e skuadrës. Me një përvojë të madhe në futbollin shqiptar, Josa pritet të sjellë stabilitet dhe sukses te ekipi ynë”, shkruhej në njoftimin e klubit të Superligës së Kosovës ku në fillimin e këtij edicioni në pankinë ishte Shpëtim Duro.