Sezoni 2019-2020 në Kategorinë Superiore po tregon javë pas jave se është shumë anormal dhe se ka të papritura të çdo lloji. Në një futboll si ky i yni ku faktori fushë shpesh është i rëndësishëm për të përcaktuar rrugëtimin e titullit, duket paksa e çuditshme statistika që regjistrohet në edicionin aktual, ku dy ekipet e para në renditjen e ndeshjeve të luajtura brenda në fakt nuk luajnë para një atmosfere imponuese dhe të zjarrtë të tifozerisë së tyre.
Klasifikimi i ndeshjeve në shtëpi sheh në mënyrë të papritur në vend të parë Teutën, e cila në 13 ndeshje të luajtura ka marrë 28 pikë dhe ka njohur vetëm një herë shijen e humbjes. Skuadra durrsake deri tani nuk shquhet si një prej atyre që mbush stadiumin me tifozë, e goditur së fundmi edhe prej ngjarjes së rëndë të muajit nëntor.
Një pikë më pak ka regjistruar në këtë sezon Kukësi, i cili praktikisht është pa shtëpi. Verilindorët janë në pritje të përfundimit të stadiumit të qytetit të tyre ndërsa vazhdojnë të lëvizin së në një impiant në tjetrin.
Për të parë tifozerinë e zjarrtë të Kukësit në tribuna këtë vit u desh që të luhej në “Air Albania” (si për ironi në një ndeshje që e humbën), por pjesa tjetër e ndeshjeve ‘në shtëpi” për ta ka parë tribunat thuajse të boshatisura, gjë që nuk reflektohet në rezultate pasi ashtu ekipi ka siguruar 27 pikë në 13 ndeshje.
Të njëjtën kuotë pikësh si Kukësi ka edhe Tirana, e vetmja në treshen e parë që mund të thotë me plot gojë se mbush stadiumin në ndeshjet që luan brenda. Bardheblutë janë në edicionin aktual ekipi me më shumë ndjekës dhe e kanë justifikuar këtë me rezultatet e siguruara para tyre dhe me spektaklin që kanë dhuruar.
Jo rastësisht, janë e vetmja skuadër që ka regjistruar mesatarisht mbi 2 gola për ndeshjet që ka luajtur në fushën e vet, pasi në 13 javë kanë shënuar 27 të tillë. /vipsport/