Vazhdojnë surprizat për skuadrën e Adës së Velipojës. Pas fitores në javën e parë në trasnfertën e vështirë të Burrelit, dje ka mbërritur edhe fitorja e dytë e kësaj skuadre sërish në transfertë. Këtë herë në Krujë ndaj Ilirisë së Fushë-Krujës me rezultatin 2-1.
Kanë qenë fushëkrujasit ata që kanë kaluar në avantazh të parët me anë të Ballës në pjesën e parë por më pas ka barazuar shifrat sulmuesi Lifja. Pjesa e parë do mbyllej 1-1 ndërsa në të dytën do shënontë sërish Lifja duke i dhënë fitoren skuadrës së tij, njëkohësisht edhe tre pikë shumë të merituara. Pas kësaj fitoreje, Ada është ngjitur në kuotën e 7 pikëve pas tre javëve të para të kampionatit duke u renditur në vend të dytë pas Luftëtarit të Gjirokastrës. Një fakt disi i çuditshëm: Gjirokastra 100 mijë banorë dhe miliona të tërë lekësh e para, Velipoja me 5 mijë banorë dhe me “thërrime”, e dyta. Kjo është çudia e futbollit shqiptar megjihatë është realiteti. Ada e presidentit Pjetri dhe e trajnerit Nikaj vazhdon të na dhurojë çudira.