Këtë fund-javë futbolli shqiptar u rikthye me Kategorinë e tij Superiore dhe bashkë me të edhe çudirat shqiptare. Do të ndodhë patjetër diçka që të bëhmi qesharakë dhe gazi i botës. Që të bëhemi thjesht skandalozë dhe të pabesueshëm. Sepse ajo që ka ndodhur po bën realisht xhiron e botës në youtube. Gjithçka ndodh në Kavajë, në një ndeshje jo pak të rëndësishme. Gjyqtari Enea Jorgji, gjyqtar i FIFA-s dhe një ndër gjyqtarët më të mirë në Shqipëri, anuloi në mënyrën më absurde të mundshme transformimin në gol të një 11-metërshi në favor të vendasve të Besës kundër Laçit. Gjyqtari Jorgji jo vetëm që nuk dha përsëritjen e 11-metërshit, por na la me gojë hapur të gjithëve: ai akordoi një faull në favor të miqve nga Laçi. Në stadiumin e Kavajës, askush nuk kuptoi asgjë. As tifozi më i çmendur dhe më fanatik i Laçit. Ndeshja në atë moment ishte Besa – Laçi 0-2. Ky vendim skandaloz i një prej gjyqtarëve më të mirë në Shqipëri i bëri një dëm Besës në këtë rast, një dëm direkt. Por jo vetëm. Lajthitja mendore e Jorgjit i bëri një dëm të madh futbollit. Sepse ndeshja degjeneroi. Më pas, Jorgji nxori 3 kartonë të kuq për Laçin dhe favorizoi pastër Besën vendase në rastin e golit të barazimit 2-2. Pas lajthitjes mendore erdhi lajthitja qëllimore. Të vjen realisht keq, sepse u pa qartë që Jorgji nuk kishte për qëllim të favorizonte ndokënd. Por skandali ndodhi. Skandali është aty. Gati për të shtuar fletën e re në librin e rekordeve Gines. Shqipërisë i mungonte një rekord i këtij lloji. E megjithatë ka një pikëpyetje shumë të madhe për atë çka ngjau në Kavajë. Mirë Jorgji lajthiti, madje shumë rëndë. Po asistentët e tij pse bënë sehir? Po gjyqtari i katërt pse bëri sehir? Pse nuk komunikuan me të menjëherë dhe ta njoftonin për mega-gafën? Apo edhe ata ishin dakort me lajthitjen mendore të Jorgjit? Sepse Jorgji na habiti edhe me deklaratën e tij pas ndeshjes, kur aftësia e tij mendore ishte në rregull. “Rregullorja ka ndryshuar. Në momentin kur Sefa gjuajti 11-metërshin, disa futbollistë të Besës hynë brenda zonës. Ky është faull dhe penalltia nuk përsëritet”. Zot, na ruaj Enea Jorgjin. Se është një ndër 3 gjyqtarët e FIFA-s. Vetëm pak ditë më parë përfundoi në Tiranë seminari katër ditor i arbitrave te futbollit shqiptar. Gjithçka është zhvilluar në planin teorik dhe praktik për rritjen e nivelit të gjyqtarëve të futbollit tonë. Federara Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n, kanë përqëndruar një vëmendje intensive për këtë sektor të rëndësishëm. Në këtë epilog ka marrë pjesë edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka. Ai ka kërkuar “nga xhaketat e zeza” më shumë profesionalizëm, korrektësi dhe drejtësi sportive brenda të gjitha rregulloreve. Duka ka shpërndarë me këtë rast edhe stemat e FIFA-s për 3 gjyqtarë kryesorë dhe 7 asistentë. Bardhyl Pashaj, Enea Jorgji dhe Lorenc Jemini mbeten në vazhdim gjyqtarë kryesorë të FIFA-s. Dhe menjëherë pas këtij seminari, në ndeshjen e tij të parë, Enea Jorgji bën të pabërën, të padëgjuarën. Jemi bërë gazi i botës…
ÇUDIRA SHQIPTARE!
Opinion nga ERVIN BAKU