Futbolli shqiptar ka parë shpesh blerje të çuditshme në klubet e elitës, por ajo e Kamzës në janar pozicionohet dukshëm pranë majës së listës.

David Izazola, një sulmues meksikan me pak histori në Europë, u mendua si zgjidhja e problemeve të sulmit të skuadrës dhe nënshkroi me këtë klub.

Disa stërvitje, disa intervista, 17 minuta në Kupë ndaj Vllaznisë e më pas lamtumira thuajse e parashikuar nga skuadra e cila po kalon një krizë financiare.

Me sa duket kjo eksperiencë shqiptare i ka shërbyer Izazolës për të kuptuar se me fushën e blertë ka pak lidhje, pasi sulmuesi 27-vjeçar është transferuar në Spanjë ku ka firmosur për klubin e Salamanka… si drejtor marketingu.

Izazola firmosi me klubin spanjoll të Segunda B (kategoria e tretë) në janarin e vitit të kaluar për të dhënë kontributin e tij si futbollit, por luajti vetëm 11 ndeshje me të.

Megjithatë, aftësitë e tij jashtë fushës së lojës duket se i kanë pëlqyer spanjollëve të cilët një muaj pasi ai u largua nga Shqipëria, e kthyen në radhët e tyre dhe e prezantuan si drejtorin e ri të marketingut dhe shitjeve, “Bashkë do të bëjmë gjëra të mëdha, më e mira po vjen”, shkruhej në mesazhin e klubit.

Edhe vetë Izazola shfaqej i kënaqur për këtë hap të karrierës së tij. “Tani më takon të qëndroj në anën tjetër të fushës si Drejtor i Marketingut dhe departamentit të shitjeve në një klub historik si Salamanka.

Gjithmonë mirënjohës për besimin dhe do të përgjigjem me punë për të përmirësuar imazhin e klubit dhe aleancat e tij komerciale”, ishin fjalët e sulmuesit, ose më saktësisht ish-sulmuesit, pa kaluar mirë muaji që nga koha kur bëhej gati të tregonte para publikut shqiptar se sa golashënues i mirë ishte. /vipsport/