Situata kaotike me skuadrat e Tiranës dhe Dinamos, që nuk kanë një stadium në kryeqytet për të luajtur ndeshjet e tyre dhe që duhet të udhëtojnë sa andej-këndej, ka krijuar një situatë të paprecedent në futbollin tonë. FSHF ka vendosur që derbi i kryeqytetit të luhet në Vlorë!

Tirana nuk ka stadium dhe gjatë këtij viti është vërdallisur deri tani në vende të ndryshme, pasi edhe dyert e “Air Albania” herë hapen e herë mbyllen për bardheblutë në varësi të aktiviteve të FSHF-së.

Ndaj një sfidë shumë delikate dhe e rëndësishme si ajo ndaj Dinamos rivale për katërshen e parë, e gjen ekipin bardheblu pa një stadium ku të zhvillojë ndeshjen.

Në një situatë të tillë, është kërkuar një stadium i përshtatshëm për të luajtur këtë ndeshje të javës së 9 të Superiores dhe i vetmi opsion që mbetej për fundjavën, ishte stadiumi “Flamurtari” në Vlorë. Mediat bëjnë të ditur se në mungesë të alternativave, FSHF ka miratuar zhvillimin e kësaj sfide në stadiumin bregdetar këtë të shtunë në orën 14:00, një zhvendosje pa precedent në historinë e futbollit shqiptar.