Dinamo mund të jetë skuadra e parë e kualifikuar për turin e dytë Kupës së Shqipërisë, madje edhe pa luajtur fare ndeshjen e dytë.

Pikërisht sot është parashikuar që të luajnë me Butrintin, por ka shumë të ngjarë që të mos zhvillohet.Sarandjotët kanë vendosur të mos udhëtojnë në Tiranë dhe rrjedhimisht, blutë do të marrin fitoren 3-0 në tavolinë (kujtojmë që e para doli 0-1, me gol të Diogo da Silvës).

Pas ndeshjes me Labërinë në kampionat, Butrintit i janë dëmtuar dy lojtarë, çka ka i detyruar që të mos udhëtojë fare.Të pyetur nga “Panorama Sport”, drejtuesit e klubit shprehen se shkak për këtë vendim janë edhe kostot financiare.

Vetë trajneri Odisea Çipa në lidhje me këtë thotë:“Mungesa e disa lojtarëve dhe largësia nga Saranda në Tiranë, bën që të mos udhëtojmë për këtë ndeshje.

Për këtë kemi lajmëruar FSHF-në dhe ekipin dinamovit. Fokusi ynë do të mbetet te kampionati ku kemi objektiv ngjitjen një kategori më lart”.