Një lajm i fundit befasues vjen nga Anglia. Sipas asaj që ka raportuar Sky Sports UK, mesfushori i Manchester City, Rodri, është përfshirë në listë për playoff-in e Ligës së Kampionëve, ku ekipi i Guardiolës do të përballet me Real Madridin në dy ndeshje për të siguruar kalimin në çerekfinale.
Ky është një zhvillim i papritur, duke marrë parasysh se Rodri ka pësuar një dëmtim të pjesshëm të ligamentit kryesor më 23 shtator (në ndeshjen 2-2 ndaj Arsenalit), dhe parashikimet fillestare për kohën e rikuperimit e shikonin rikthimin e spanjollit fitues të Topit të Artë në mars, në rastin më të mirë nw mes tw muajit mars.
Po ashtu, duhet theksuar se Pep Guardiola ka përfshirë në listë blerjet e reja të janarit, Abdukodir Khusanov, Omar Marmoush dhe Nico Gonzalez. Të tri përforcimet e merkatos së janarit do të jenë të gjitha të disponueshme për dy ndeshjet ndaj Blancos të Ancelottit më 11 shkurt në ‘Etihad Stadium’ dhe në transfertë në ‘Santiago Bernabeu’, më 19 shkurt. Ndërsa Vitor Reis është lënë jashtë.
Lista e plotë e lojtarëve të regjistruar:
Portierë: Ederson, Stefan Ortega Moreno, Scott Carson.
Mbrojtës: Manuel Akanji, Nathan Ake, Ruben Dias, John Stones, Abdukodir Khusanov, Josko Gvardiol.
Mesfushorë: Nico, Ilkay Gundogan, Jack Grealish, Kevin De Bruyne, Bernardo, Rodri, Mateo Kovacic, Matheus Nunes, James McAtee, Phil Foden, Jeremy Doku, Savinho.
Sulmues: Erling Haaland, Omar Marmoush.