Që Vllaznia ka shumë tifozë dhe jo vetëm në Shkodër, kjo tashmë dihet nga të gjithë. Gjithmonë ajo është konsideruar si skuadra me të cilën është krenuar i gjithë Veriu i Shqipërisë.
Por jo vetëm ai. Kuqeblutë kanë tifozë të shumtë edhe në Kosovë e Mal të Zi. Në këtë të fundit, ka një tifoz të veçantë.
Ai është Cuf Kapllani. Ndonëse në moshën 66 vjeçare, vazhdon ta ndjekë rregullisht Vllazninë në çdo ndeshje dhe jo vetëm në Shkodër.
Ka qenë edhe dje në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” për ta mbështetur në ndeshjen ndaj Flamurtarit dhe sigurisht që është gëzuar për fitoren e arritur.
Duke folur për “Shkodra Sport”, Cufi ka dhënë shumë detaje në lidhje me tifozllëkun e tij për Vllazninë.
“Kam qenë prej vitesh e vitesh tifoz i kësaj skuadre por e ndjek rregullisht që nga viti 2001. Në atë vit kur u shpall kampion.
Presidenti i asaj kohe Myftar Çela më kishte rezervuar një abone për tribunën qendrore dhe që atëherë nuk mund të mungoj në asnjë ndeshje.
Por në shumë ndeshje unë nuk vij vetëm. Edhe gruaja dhe vajza ime janë tifoze të zjarrta të Vllaznisë dhe shpeshherë janë të pranishme në stadium edhe ato”.
Po, në cilat stadiume e ka ndjekur Cufi Vllazninë apo vetëm në Shkodër? Shqiptari i Malit të Zi shpjegon:
“Jo jo, siç mund të më keni parë, unë e ndjek skuadrën time të zemrës jo vetëm në “Loro Boriçi”. Kam qenë thuajse në të gjitha stadiumet e Shqipërisë.
Në Korçë ndonësë larg, kam qenë dy herë për të ndjekur Vllazninë. Kam qenë edhe në Vlorë, Fier, Ballsh etj. Në Tiranë e Durrës më duket si në Shkodër mua.
I vetmi qytet ku nuk kam shkuar për të ndjekur kuqeblutë është Gjirokastra. Edhe sivjet nuk arrita që të shkoj por me siguri që sezonin tjetër po”.
Ulqinaku kësisoj është një shembull për t’u ndjekur, pse jo edhe nga shumë shkodranë. Edhe në momentet më të vështira të këtyre viteve të fundit, kur Vllaznia u braktis nga tifozët e saj të zjarrtë duke mos i patur pranë në shkallët e stadiumit, ai nuk ka munguar asnjëherë.
As nuk do të mungojë. “Deri sa të kem frymë do të jem pranë Vllaznisë. Tashmë ajo është një pjesë e rëndësishme e jetës time, është një nga kënaqësitë më të mëdha që kam”- thotë në fund të prononcimit të tij Cuf Kapllani.
© shkodrasport.com