Armando Cungu bëhet gati t’i japë lamtumirën Kukësit pas vetëm pak javësh në drejtimin e verilindorëve. Deklarata e tij e mbrëmshme në RTSH dukej plotësisht një fjalim lamtumire, pasi nuk u kursye në kritika ndaj lojtarëve dhe klubit.

“Kualifikimi? Kur ke ekip me probleme siç është momentalisht Kukësi, mundësitë janë shumë të vogla. Momentalisht nuk më intereson Europa. Të jem i sinqertë, kam parë më shumë edhe nga kampionati.

Kam ardhur te Kukësi pas ftesës së presidentit dhe me dëshirën e madhe pasi kam qenë pjesë e këtij ekipi që i ka dhënë tonin kampionatit dhe një Kukës elite dhe kam menduar se i tillë do të jetë prapë.

Ndoshta nuk do ta  kisha marrë drejtimin po ta dija që ekipi është në këtë gjendje. Do të shoh nëse do të vijnë lojtarët cilësorë për të bërë diferencën.

Por nëse pretendimet janë aq madhore, atëherë ndoshta do të shoh edhe unë pozicionin tim. Dorëheqje? Edhe mund të largohem, patjetër. Ky grup nuk të jep shpresa për të dalë kampion”, ishin fjalët e Cungut.

Vështirë se presidenti Gjici do t’ia falë një deklaratë të tillë trajnerit shkodran, duke qenë të gjitha palët të ndërgjegjshme se duke qenë në fillimin e gushtit, ndërhyrjet që kërkon trajneri në skuadër janë të pamundura.

Njëkohësisht, edhe lojtarët nuk duhet të jenë shumë të lumtur me fjalët e trajnerit i cili nënvlerësoi plotësisht kontributin e tyre.

Kësisoj, duket e qartë se shumë shpejt rrugët e Cungut me Kukësin do të ndahen përsëri dhe te verilindorët do të fillojë revolucioni i radhës. /vipsport/