Trajneri i Kukësit, Armando Cungu,beson se skuadra e tij meriton të jetë fituese e titullit kampion, pasi ka gjithçka që nevojitet për të synuar një objektiv të tillë. Ndonëse pranon se ka ende shumë kohë para se të përcaktohet rrugëtimi i kësaj skuadre, ai mendon se ajo është në rrugën e duhur për të arritur një objektiv të tillë.

“Ekipi ka ardhur nga java në javë në rritje në lojë dhe rezultate dhe natyrshëm që ndjehesh mirë. Megjithatë, nuk duhet të jemi shumë euforikë, sapo ka startuar kampionati, janë luajtur vetëm 5 javë. Kjo do të thotë që ka shumë rrugë, punë e pengesa përpara, kështu që duhet të jemi shumë seriozë që të vazhdojmë me korrektësi punën tonë për të mbajtur këtë ritëm.

E meritojmë për ta synuar këtë objektiv, për të qenë ne kampionët e Shqipërisë. Shpresoj dhe uroj që këto fjalë të jenë edhe bindje e ekipit dhe lojtarëve që mund t’ia dalim. Unë personalisht si trajner besoj dhe shpresoj që t’ia arrijmë”, tha Cungu.

Ndërkohë, ai nuk bën llogaritë sa i përket asaj që do t’i pëlqente si rezultat përfundimtar nga derbi, thjesht kënaqet që kthehet një ndeshje e tillë. “Shumë herët për të bërë llogaritë, ne do të shohim punën tonë, do marrim ndeshjet një nga një, të pretendojmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje.

Ky është objektivi i Kukësit. Pjesa tjetër, natyrshëm që është mirë për futbollin shqiptar që ka një ndeshje të tillë derbi. Uroj që të bëhet ndeshje e bukur, të argëtohen lojtarët në fushë dhe të dy tifozeritë. Uroj me zemër e shpirt që dy tifozeritë të jenë korrekte dhe të dhurohet spektakël jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna”, deklaroi Cungu./vipsport/