Ndeshja Vllaznia- Flamurtari në vetvete ka qenë përveçse një ndeshje në mes dy skuadrave, edhe një përballje në mes dy trajnerëve të tyre, Armando Cungu dhe Shpëtim Duro. Këta të dy gjatë 90 minutave janë munduar që me anë të skemave, të udhëzimeve dhe lëvizjeve të tyre, “të zinin mat” njëri- tjetrin. Por jashtë kamerave dy trajnerët janë shfaqur shumë miqësore sëbashku.
Para ndeshjes ata kanë biseduar për disa minuta sëbashku pranë pankinës së Vllaznisë ndërsa futbollistët ishin në nxemje. Por jo vetëm kaq. Pas ndeshjes, Cungu dhe Duro janë parë në një nga lokalet pranë stadiumit “Loro Boriçi” duke pirë nga një birrë, të shoqëruar nga drejtori sportiv i Vllaznisë Zeka,trajneri i portierëve Lekiqi dhe më vonë atyre u janë bashkuar edhe Florian Riza e gazetari Ylli Aga. Një gjë e tillë sigurisht që ka bërë përshtypje sepse rrallëherë shohim trajnerët e ekipeve kundërshtare që veprojnë në këtë mënyrë. Dikush i mërzitur nga rezultati apo dikush tjetër nga arbitrimi,tifozët e kundërshtarët, trajnerët shpeshherë sapo mbaron ndeshja, largohen nga ambjentet e stadiumit madje pa i dhënë edhe dorën kolegut trajner. për këtë arsye, rasti i djeshëm i Cungut dhe Duros, duhet marrë si shembull.
© shkodrasport.com