Kanë përfunduar dy takimet e luajtura në orën 14:00 të javës së 21-të të Superiores. Kukësi ka rimarrë edhe një herë kreun, pasi mposhti me përmbysje Laçin e Cungut me shifrat 3-1. Verilindorët tregojnë qartë se objektivi i vetëm për ta është titulli kampion dhe këtë po shfaq nga ndeshja në ndeshje.

Cungu (Laçi): “Nuk e di, por ne sapo shënojmë, e pësojmë menjëherë. Kukësi ka një ekip shumë konkurrues dhe të denjë për titull, ndërsa shfrytëzoi më së miri gabimet tona. Kemi provuar që të dalim në kundërsulme të shpejta.

Ajo që më vjen keq është se duhej të merrnim një pikë ndaj Kukësit. Sigurisht që ka një nervozizëm dhe individualizëm nga Nuabueze, pasi nuk kishte arritur të shënonte ende golin e parë në 2020. Kjo ishte mëse evidente.

Kukësi me 4 gjuajtje në portë, shënon 3 herë. Ndërkohë ne nuk jemi në gjendje që të konkretizojmë. Që kur kam ardhur më bëjnë pyetje për Laçin si kampion, por ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një”.