Skuadrat shqiptare po bëhen gati për të luajtur në Europë, duke kërkuar që të ecin sa më shumë. Merkato e bërë nga klubet ka qenë në nivele të kënaqshme dhe me interes të madh pritet të shihet sesi do shkojnë gjërat. Trajneri i njohur shkodran, Armando Cungu në një intervistë për News 24 nën drejtimin e moderatores Trevisa Tufa dha këndvështrimin e tij për shumë çështje.
Profesor, një ditë më parë kisha në lidhje skype Erdenis Gurishtën, me bëri përshtypje deklarata e tij. E para, nuk tentuan shumë të më mbanin, por më e rëndësishmja që prek Shkodrën, ishte fakti që klubi nuk po ndërton një ekip për kampion. Ju si mendoni? A po dorëzohet Vllaznia ende pa u futur në garë?
Pyetje e vështirë për t’ia bërë një shkodrani. Për sa i përket marrëveshjes, nuk e di si kanë shkuar gjërat. Më mirë se Gurishta nuk e di askush. Sa i takon thënies së dytë, unë jam dakord me atë që thotë Gurishta. Shumë lojtarë janë larguar nga Vllaznia. Nuk e di se përse, por ky nuk është një ogur i mirë për skuadrën. Le të presim e të shohim. Shanset janë të pakta për të një skuadër kompetitive ose konkurruese.
Nga Vllaznia këtë verë po largohen të gjithë titullarët, vetëm Tirana ka marrë tre prej tyre. Nuk ishin të mirë mjaltshëm Latifi, Jonuzi etj, pse duhet të bëjnë gjithçka nga e para, kur e kishin ekipin aty?
Kjo është problematike. Shumë skuadra të mëdha si Partizani, apo Tirana që kanë qenë të denja për Europë këto vite, natyrisht se janë të forta dhe kërkohet që të vijnë trofe në qytetet e tyra. Natyrisht, ato kërkojnë të jenë të forta, në mënyrë që të fitojnë trofe. Nuk duhet të harrojmë që Shkodra është djepi i futbollit. Ka dalë moda që të largohen futbollistë shkodranë nga Vllaznia. Është e papranueshme që Vllaznia të ketë vetëm 2 ose 3 lojtarë nga Shkodra. Shkodra ka talente, shumë lojtarë kanë kontribuar në klube të tjera.
Profesor, janë të lirë dy nga trajnerët më të mirë në qarkullim, ju dhe Edi Martini, dy shkodran që kanë shkruar historinë e këtij klubi. Pse nuk besojnë drejtuesit te shkodranët?
Këtë nuk e di, kjo pyetje u bëhet drejtuesve, jo mua. “Më mirë me pas se me kenë”, thonë në Shkodër. Pra, drejtuesit janë ato që vendosin. Gjatë gjithë karrierës time, shkodranët, tifozët dhe qytetarët më kanë dashur. Nuk më pëlqejnë anketat, por tifozët më duan. Kur iku Brdaric më bënë një ofertë, por nuk e pranova pasi kisha impenjime të tjera.
Ke pasur ndonjë ofertë konkrete këtë periudhë? Të kanë kontaktuar, çfarë projekti kërkon Cungu për tu rikthyer në pankinë?
Nuk kemi projekte të mëdha, edhe po të kesh nuk të lënë t’i zbatosh. Kam patur kontakte nga Kosova, por edhe nga Superliga shqipare. Kjo është puna ime, profesioni im, unë kam dinjitet. Unë kam vendosur emër në futbollin shqiptar dhe nuk dua ta njollos.
Profesor, si i vlerësoni deri më tani lëvizjet në tregun e transferimeve, ekipi më aktiv është Tirana me lojtarë si Latifi, Nunez, Gledi Mici, Doka, Jonuzi, Obanor, pritet Hoxhallari. A është kjo një provë forcë nga ana e Tiranës, a e vendosin këto blerje mes favoritëve kryesor për titull?
Nuk diskutohet, Tirana është favoritë gjithmonë. Ka të bëjë edhe emri. Partizani ka bërë hap progresiv dhe do të jetë konkurrent i denjë për titull. Egnatia ka qenë hirushja e kampionatit shqiptar. Duke parë edhe goditjen e fundit të Egnatias, mund të themi se do synojnë edhe ata të arrijnë diçka. Oreksi i tyre duket i madh, gjithçka vërehet edhe nga lëvizjet në merkato.
Ndërkohë Partizani po ribën çdo gjë nga e para, duke e nisur nga trajneri, stafi drejtues, ndërsa në lidhje me lojtarët nuk po lëvizin shumë, sigurisht kanë marrë Grezdën, si e sheh në raport me Tiranën, ndërkohë bardheblutë nuk e prekën trajnerin dhe stafi…
Kjo pyetje përsëri duhet t’i bëhen drejtuesve, jo trajnerëve. Nuk është hera e parë që ndodh kështu, pasi fiton, të largojnë. Ka ndodhur edhe me Egbo, apo edhe me mua. Partizani, përveç afrimeve, ka lëshuar terren me humbjen e Matondo. Matondo ishte më i miri në rolin e tij. Nuk e di arsyet që çuan në divorc. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Tiranën, me Aleksin.
Cungu, me Kukënsi keni bërë historinë, treguat se çfarë do të thotë të kalohen turet në Evropë, pse po hasim vështirësi tani, një vit më parë u eliminuan të gjithë që në raundin e parë, përveç Laçit? Ku po gabojmë tani?
Ka disa arsye. E para ka të bëjë me lëvizjet e shumta të lojtarëve. Sa vjen janari, largojnë 8 futbollistë. Kur ti e merr një trajner, kuptohet që ti ke besuar te ky trajner. Trajneri duhet të përshtatet dhe nevojitet kohë, për të futur filozofinë në skuadër. Më mirë se një trajner, askush tjetër nuk e di nëse ekipi është i aftë të dalë kampionë apo jo. Fakti që nuk po ecim shumë në Europë, nuk është një shenjë e mirë. Shumë mirë që disa futbollistë largohen nga vendi, për të luajtur në skuadra më të forta.
Profesor, kë shihni më të avantazhuar, kush mund të kalojë të paktën një tur. Partizani luan në Champions me Bate Borisov. Tirana në Konference Ligë kundër Dinamo Batumi, Vllaznia me Linfild ndërsa Egnatia me Ararat. Cila mund të kalojë më tej?
Po ta shikojmë si short, më të vështirë e ka Partizani. Jo se nuk kanë mundësi të kuqtë, por bjellorusët kanë emër të madh në arenën ndërkombëtare. Bate nuk është ekip i lehtë.
Egnatia me ekip armen apo sfida që ka Vllaznia, mund të kenë pak favore. Tirana me Batumin? Shanset janë të mira për bardheblutë. Futbolli nuk ka të bëjë me favoritët në letra, futbolli i gris ato letra.