Kukësi ka mësuar dje kundërshtarin, me të cilin do të përballet në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Verilindorët që kaluan Valetën, tashmë do të sfidojnë Karabakun e Azerbajxhanit ku luan edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli.

Azerët u kualifikuan përballë Olimpia Lubjana të Sllovenisë, pasi fituan 1-0 një javë më parë në transfertë, ndërsa dje barazuan 0-0 në fushën e tyre.

Ndeshja e parë mes Kukësit dhe Karabak do të luhet javën e ardhshme më 24 ose 24 korrik në Shkodër, ndërsa sfida e kthimit një javë më pas në Azerbajxhan. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Kukësit, Armando Cungu, flet në lidhje me Karabakun dhe shanset që ka skuadra për t’u kualifikuar. Gjithashtu, ai tregon edhe nëse do të flasë ose jo me Ansi Agollin që është pjesë e klubit azer.

E ndoqët ndeshjen mes Karabak dhe Olimpia Lubjana?

Të jem i sinqertë, jo. Isha në një darkë familjare. Nuk jam shumë i mirë për të hyrë nëpër sajte dhe linqe ku transmetohen këto takime, por klubi e ka regjistruar ndeshjen dhe do ta shoh nesër (sot) të gjithën me imtësi.

Kishit ndonjë preferencë mes këtyre dy klubeve për të pasur përballë?

Nuk kisha ndonjë preferencë, pasi është krejt normale që sa më larg të shkosh, aq më tepër vështirësohen gjërat dhe ekipet janë më të forta. Edhe rezultati i sotëm (dje) 0-0 tregon se të dyja ekipet kanë qenë pak a shumë në të njëjtin nivel.