Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, u shpreh pas humbjes kundër flamurtarit se skuadra e tij meritonte më shumë dhe u ndëshkua vetëm nga një goditje këndi. Sipas Cungut, te skuadra e Kukësit ka vështirësi:

Për mendimin tim ekipi zhvilloi ndeshje të mirë, i vetmi gabim ishte goditja nga këndi e kundërshtarit, ku nuk e zgjidhëm siç duhet situatën dhe u ndëshkuam.

Nuk e mendoj se ishin superiorë ndaj nesh, besoj se ishim ne më dominues se kundërshtari, e kërkuam golin por na mungoi. Rëndësi kanë pikët, një pikë në dy ndeshje është pak.

Rivalët tonë kanë marrë pikë të plota apo një fitore e barazim, ndaj starti nuk është ai që mendoja. Vështirësi ka, por do të vazhdojmë, ët shohim para.

Sa u përket kontratave të lojtarëve, nuk jam unë personi që i bëj. Nuk ka arsye pse të ketë probleme me individë të caktuar, kush është profesionist duhet të pranojë konkurrencën, nëse nuk pranon, nuk është as profesionist, as grup i caktuar.

Mua si trajner më takon të mbroj pjesën e shëndoshë që të marrim rezultate dhe të mbajmë Kukësin në nivelet ku ka qenë. Kush nuk i bindet kësaj ideje, e përjashton futbolli, nuk e largon as trajneri as presidenti, askush.

Me ndryshimin e skemës, isha i vetëdijshëm që mund të rrezikonim në prapavijë, dalja e Rrumbullakut na prishi ekuilibrat. Por edhe pse me inferioritet numerik dolëm para, morëm goditje nga këndi, por nuk vlejnë nëse nuk arrin të shënosh.

Nuk pashë Kukësin apatik, e pashë ndoshta edhe më të mirë se kundërshtari, ishte një shpërqendrim që nuk duhej ta bënim te goli, se ata ishin me pak forca, por çuditërisht ishte krejtësisht i lirë Alla.

Të kesh në Superiore këtë nivel terreni kur stadiumet janë të mira, është fatkeqësi. Ne si trajnerë i japim udhëzime lojtarëve të kenë kujdes në kthimin mbrapa të topit te portier, të penalizon, Nuk luhet futboll kështu, merr topin dhe kaloje para me topa të gjatë./Vipsport/