Dy ish-trajnerët e Vllaznisë në sezonin e kaluar, Armando Cungu dhe Ernest Gjoka, janë përballur me njëri-tjetrit sot duke kërkuar fitoren për skuadrat e tyre, Kukësin dhe Kamzën. Një ndeshje e pazakontë, kjo për faktin se ndeshja u vendos nga dy autogola, që u realizuan në më pak se tre minuta.
Diçka e rrallë, pasi vështirë se dy autogola do jenë shënuar në kaq pak minuta. Fillimisht Erlis Frashëri dhe më pas Olsi Teqja çuan topin në fundin rrjetës së skuadrës nga periferia e kryeqytetit, por në favor të kuksianëve.
Por kjo ndeshje ka patur edhe raste të tjera. Fillimisht një pretendim i vendasve për 11-metërsh por që gjyqtari Myrtja nuk e akordoi.
Në pjesën e dytë vetëm traversa i mohoi golin Donjet Shkodrës, i cili nga një goditje dënimi goditi mirë, por jo sa për të shënuar. Përfundimisht 2-0 për Kukësin që shfrytëzon hapat e gabuar të Partizanit e Skënderbeut, duke u afruar me vendin e parë, tani vetëm 7 pikë larg.
Kamza në anën tjetër “frikësohet” dhe nga Kastrioti, që është zgjuar dhe ndaj Laçit prodhoi një lojë fantastike, edhe pse nuk mori dot pikë.
© shkodrasport.com