Trajneri i Vllaznisë Armando Cungu ndjehet i lodhur. Jo vetëm nga temperaturat e larta që po mbizotërojnë në këto ditë stërvitje me ekipin por më së shumti me zhurmën që po krijohet rreth tij. Çdo ditë në median e shkruar apo atë online lexon lajme të pavërteta dhe kjo e ka mërzitur atë. Këtë gjë e ka shprehur edhe në një reagim në faqen zyrtare të klubit kur ka thënë: “Ajo që po më mërzit më shumë se çdo gjë tjetër është zhurma që po krijohet rreth merkatos së Vllaznisë. Çdo ditë lexoj dhe dëgjoj për lajme të pavërteta. Nuk e di se me çfarë qëllimi bëhen por mesa shoh, ka diçka në këtë mes. Ato që i shkruajnë ndoshta duan t’u gjejnë ekip këtyre futbollistëve dhe për këtë arsye fusin në lojë edhe emrin e Vllaznisë. Përditë qarkullojnë emra të ndryshëm, i fundit rasti i sotëm i mbrojtësit kroat Buljan, por më parë ka ndodhur edhe me emrat e Vidoviç dhe shumë të tjerave, për të cilët fliten shumë të pavërteta. Thuajse 90 për qind e emrave që janë përmendur, nuk janë kontaktuar fare nga ana jonë. Atëherë përse shkruhet se ata janë pranë firmës?! Ne nuk kemi shfaqur asnjë interes për këto futbollistë sepse nuk janë në planet tona. Për këtë arsye, doja t’u bëja edhe njëherë tjetër një thirrje miqësore gazetarëve për t’u treguar më të kujdesshëm në ato çfarë shkruajnë për Vllazninë. Telefoni im por edhe i drejtuesve të tjerë të klubit ka qenë dhe është i hapur 24 orë dhe ato mund të marrin informacionin e saktë në lidhje me atë çfarë është duke ndodhur me merkaton e skuadrës sonë dhe jo të shkruajnë gjëra të pavërteta që besoj se bëhen me një qëllim të caktuar. Megjithatë, gjëja e vetme që kërkoj është sa më shumë korrektesë në pasqyrimin e lajmeve rreth Vllaznisë”.

© shkodrasport.com