Java e 34-të e Superligës do të dhurojë ballafaqimin Laçi- Vllaznia që do të zhvillohet pasditen e së hënës në orën 16.00 në stadiumin e qytetit të Laçit dhe sigurisht që konsiderohet një përballje shumë e vështirë për shkodranët. Kurbinasit që deri para pak ditësh, konsideroheshin më të rrezikuarit për rënien nga kategoria, me barazimin ndaj Partizanit, kanë futur në këtë valle edhe shumë skuadra të tjera. Ndër të cilat edhe Vllazninë. Kjo natyrisht që I ka ndërlikuar gjërat dhe në kampin shkodran e kanë të qartë këtë gjë.
Trajneri Armando Cungu, në një prononcim për faqen zyrtare të klubit në këtë pragndeshje, është shprehur se skuadra do të kërkojë të marrë pikë me çdo kusht në Laç sepse sipas tij, kampionati është ndërlikuar së tepërmi dhe kurrsesi gjërat nuk duhen lënë për në javën e fundit të kampionatit. “Kemi të bëjmë me një ndeshje të rradhës për Vllazninë por natyrisht që është shumë e vështirë. Do luajmë ndaj një kundërshtari shumë të motivuar por kjo nuk do të thotë se duhet ta marrim të lehtë. Kampionati ka ardhur në një pikë ku nuk dihet se çfarë po ndodh dhe kuptohet që na duhen pikë për të siguruar mbijetesën. Ajo çfarë kërkoj unë si trajner nga futbollistët për këtë takim, është të ndryshojnë mënyrën e të luajturit sepse që nga takimi me Flamurtarin e kam thënë edhe më përpara se skuadra nuk ka funksionuar ashtu si duhet”- është shprehur tekniku i kuqebluve. Por ndërkohë, skuadra do ketë edhe mungesa por Cungu nuk e ka shumë mendjen tek to. Sipas tij, në fushë do jenë ato futbollistë që kanë shprehur më shumë dëshirë për të dhënë më të mirën për Vllazninë në këto ndeshjen e fundit, prandaj shton: “Kemi një mungesë të sigurtë, atë të Bakajt me kartona, po ashtu edhe disa futbollistë të tjerë kanë probleme shëndetësore dhe ende nuk e kemi të qartë nëse do jenë në gjendje për të luajtur apo jo. Megjithatë, unë do të them në fushë ata futbollistë që kanë treguar më shumë dëshirë gjatë gjithë kësaj periudhe për të përfaqësuar denjësisht fanellën e Vllaznisë sepse në fund të fundit, është fundi i sezonit dhe për gjithësecilin do të bëhet një bilanc i asaj se çfarë kanë bërë mirë dhe keq gjatë gjithë vitit. Për këtë arsye, secili prej tyre duhet të japë më të mirën në fushën e lojës”. Kampionati do edhe tre ndeshje për të përfunduar dhe kalendari duket shumë i vështirë për shkodranët. Këtë e pranon edhe Cungu prandaj kërkon që gjithçka të mbyllet me ndeshjen e nesërme në Laç, pavarësisht se kjo mund të dëmtojë vendasit. “Kalendari i tre ndeshjeve të mbetura për ne, është aspak i favorshëm. Na duhen ende pikë për të siguruar mbijetesën dhe kurrsesi nuk duhet ta lëmë këtë gjë për në fund. Për këtë arsye, do të kërkojmë të mbyllim gjithçka që në Laç. Padyshim që na vjen keq për kundërshtarin por ne punojmë për Vllazninë dhe duhet t’i shërbejmë asaj sa më mirë të jetë e mundur, prandaj dhe ndaj laçianëve do të tentojmë të mos dalim pa pikë”- është shprehur në fund të prononcimit të tij trajneri i skuadrës kuqeblu.