Trajneri Armando Cungu foli pas ndeshjes së fituar me Kastriotin. Një fitore e vështirë, pavarësisht se në letër kishte pritshmëri të tjera.
“Ishte përgjigjja e duhur nga ekipi, pasi kthyem rezultatin. Në pjesën e parë ishim xhentil, sidomos në mesfushë. Kundërshtari fitoi çdo top dhe arritën të na shënonin.
Me futjen e Dzarias ekipi reagoi mirë. Pjesa e dytë foli për ne. Mund dhe ta humbnim, jo vetëm nga penalltia, por disa raste që u treguam të lehtë. Futbolli është 90 minuta dhe duhet të jesh që në fillim i njëjtë”.
Presioni – “Kukësi duhet të jetë në krye të tabelës dhe nuk duhet të jetë larg rivalëve. Fitorja ishte oksigjen. Terreni lë për të dëshiruar dhe është vetëm për luftë jo për ndeshje e bukur”.
Pikët apo loja? – “Pikët janë ata që vlejnë më shumë. Kampion shpallesh nga pikët, por mua si trajner më ka pëlqyer loja, pavarësisht humbjeve. Për trajnerët është e rëndësishme që të krijonim raste dhe të marrim pikët”.
Limaj – Dzaria – “Ka luajtur Limaj për të qenë ekip më sulmues. Në Korçë dhe ndaj Partizanit kam përdorur Dzarian. Mendova se duhej të ishim më agresiv me Limajn. Ndonjëherë mund të themi se ndërrimet janë të limituara për shkak të lojtarëve me nënshtetësi të huaj. Zgjodha Limajn, pasi doja futboll më të bukur”.
Qendra e mbrojtjes – “I pësojmë golat me lehtësi, por nuk është vetëm problemi i mbrojtjes. Si ekip duhet të jemi bashkë. Kemi pësuar gola që mund t’i shmangim”./telesport/