Trajneri shkodran i Kukësit Armando Cungu mbrëmë ka qenë i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” dhe teksa ka folur për suksesin e skuadrës që ai drejton në sezonin e fundit, sigurisht që është ngacmuar nga drejtuesit e emisionit edhe për Vllazninë. I pyetur nëse do kthehej tek Vllaznia, nëse një ditë do t’i bëhej oferta përkatëse, Cungu është përgjigjur: “Vllaznia është skuadra ime e zemrës, skuadra e qytetit tim dhe natyrisht që asaj asnjëherë nuk mund t’i thuash “jo”. Madje besoj se kjo vlen jo vetëm për futbollistët dhe trajnerët shkodranë. Futbollistët dhe trajnerët nga e gjithë Shqipëria duhet të jenë krenarë nëse një ditë do jenë pjesë e kësaj skuadre që ka shkruar historinë e futbollit shqiptar në vite.
Unë edhe në verën që shkoi isha shumë pranë marrjes së drejtimit të kësaj skuadre, madje falë saj besoj se doli në skenë edhe oferta e Kukësit. Unë për momentin jam shumë mirë në Kukës, ndjehem i vlerësuar dhe natyrisht nuk e di se çfarë do bëhet për të ardhmen, por e përsëris, Vllaznisë asnjëherë s’mund t’i thuash “jo”. Mbetet për t’u parë se çfarë do ndodhë në të ardhmen”. Në fakt edhe Vllaznia për momentin e ka trajnerin megjithatë tashmë Armando Cungu është një mundësi. Nëse deri dje në Shkodrën e tij nuk i kanë besuar nga përvoja jo e madhe si trajner, këtë herë do jetë ndryshe. Përvoja dhe puna e shkëlqyer që ka bërë në Kukës, janë një garanci se të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe tek Vllaznia. Madje edhe më mirë sepse do punojë me më shumë dëshirë.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)