“Fitorja gjithmonë është e bukur, por kur vjen ndaj një rivali të fortë bëhet edhe më e rëndësishme. Shfrytëzuam momentin e mirë që po kalon ekipi dhe arritëm të merrnim një fitore që ishte me shumë vlerë për ne.
Ishte edhe objektivi ynë ky dhe për këtë jam i gëzuar, por edhe për rendimentin, për lojën që po zhvillojnë djemtë dhe për karakterin që po tregojnë. Mbi të gjitha është karakteri”, këto ishin fjalët e para të Armando Cungut në daljen e djeshme mediatike.
Për “SportEkspres.com” dhe televizionet e pranishme, trajneri shkodran foli për shumë tematika. Mes tyre edhe për rëndësinë e triumfit me Skënderbeun. “Ishte e rëndësishme për pikët, për moralin e ekipit, për të kuptuar dhe besuar më tepër këta djem që kanë mundësi të bëjnë më shumë progres. Tani po shijojmë jo vetëm lojën, por edhe pikët e marra”.
Më tej ai foli edhe për Rexhinaldon, për futbollistët që janë aktivizuar këto javë dhe kanë zëvendësuar mungesat e rëndësishme të verilindorëve. Në fund edhe dy fjalë për modulin, që sipas Cungut nuk është çelësi i suksesit./sport-ekspres/