Pas tre rezultateve të para positive në kampionat, ekipi I Vllaznisë duket para një presioni për të fituar me çdo kusht edhe ndeshjen e rradhës, atë ndaj Korabit që do të luhet ditën e shtunë në Tiranë. Por, vetë trajneri I kësaj skuadre Armando Cungu në prononcimin e tij për mediat ditën e sotme ka bërë të ditur se skuadra nuk ka pse të jetë nën presion. Sipas tij, ajo duhet të kërkojë fitoren sepse I ka mundësitë për ta bërë një gjë të tillë. “Po kalojmë një moment të mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë gjë. Unë e konsideroj një takim të vështirë këtë me Korabin por kjo nuk na tremb. Kam shumë respekt për kundërshtarin, që vërtetë është debutues në Superligë por në rradhët e saj ka shumë lojtarë të mirë. Pesë apo gjashtë prej tyre unë i kam stërvitur tek Laçi, janë edhe Nexhipi, Plaku, Peposhi e lojtarë të tjerë të Superligës që i kanë dhënë vlera kësaj skuadre. Natyrisht që kundërshtari është nën presion për ta fituar këtë ndeshje dhe këtë gjë ne duhet ta shfytëzojmë. Edhe ne mund të jemi para njëfarë presioni sepse tifozët mund të mendojnë se është një ndeshje e lehtë dhe duhet fituar patjetër, por unë nuk nisem nga kjo. Unë nisem nga fakti se futbollistët e mi gëzojnë një formë të mirë dhe falë kësaj forme, duhet të synojmë fitoren ndaj çdo lloj kundërshtari”- ka thënë ai. Shumëkush ka nisur të mendojë për një skuadër pretendente sivjet megjithatë, trajneri Cungu edhe njëherë tjetër bën të ditur se nuk duhet shkuar kaq larg me objektivat që duhet të ketë Vllaznia. “Personalisht nuk jam për një Vllazni të madhe. Jam për një skuadër që të sigurojë sa më shpejt mbijetesën dhe më pas, duke parë edhe mundësitë por edhe faktorët e tjerë që do na shoqërojmë, të shohim për t’u ngjitur ndonjë vend më lart në renditje në mënyrë që të mbyllim një kampionat më të mirë se këto të viteve të fundit”- ka thënë ai. Ndeshja Korabi- Vllaznia do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit dhe do të zhvillohet pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të ekipit dibran dhe sigurisht që këto janë favore për kuqeblutë për të marrë fitoren e dytë në këtë kampionat.
© shkodrasport.com