Trajneri i Kukësit, Armadno Cungu ka dalë sot në konferencë para mediave në prag të takimit që Kukësi luan ndaj Luftëtarit në transfertë për javën e 15 të Kategorisë Superiore. Ai u shpreh se skuadra e tij do të luajë vetëm për 3 pikët dhe se gjithmonë ka këtë objektiv.
Gjithashtu, Cungu ka folur edhe në lidhje me largimin e Musollit, për të cilin shprehet se nuk kishte dijeni si edhe ka sqaruar çështjen në lidhje me reagimin e Rexhinaldos pas ndeshjes ndaj Kamzës.
Ndeshja me Luftëtarin? Luftëtari është ‘kockë e fortë’ si çdo ekip tjetër në Superiore. Kundërshtari ka nevojë për pikë, ashtu sikurse edhe ne kemi nevojë për pikë. Nuk shoh asnjë skuadër në kampionat që nuk ka nevojë për pikë. Sa i përket rrezikut, jemi përgatitur për këtë ndeshje, natyrshëm që nuk do të jetë e lehtë për ne. Edhe para një jave ishim në të njëjtën situatë, ku Kamza ishte për mbijetesë, ishte në të njëjtat pozita. Ne bëmë detyrën tonë dhe arritëm atë objektiv që ishte fitorja. Nuk besoj se duhet të ketë ndonjë ndryshim ndeshja nga ndeshja e Kamzës.
Barazim? Ne futemi në çdo ndeshe për të marrë 3 pikë, në çdo fushë dhe ndaj çdo kundërshtari. Ky është objektivi ynë edhe në këtë përballje. Në futboll nuk mund ta parashikojmë sot se si mund të shkojë ndeshja. Ne jemi përgatitur për të marrë fitoren dhe do e kërkojmë me çdo kusht.
Hapi i madh? Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe duhet të fokusohemi te takimi i radhës dhe të bëjmë të pamundurën për të marrë 3 pikët. Më pas do të kemi të njëjtin objektiv ndeshje pas ndeshje.
Largimi i Musollit? Të jemi sinqertë unë sapo e lash stërvitjen erdha këtu dhe nuk jam në dijeni të kësaj situate. Me aq sa u informova shkurtimisht, mësova se mes dy palëve është arritur një marrëveshja që lojtari të lihet të rehabilitohet në Kosovë dhe më pas do të jetë dera e hapur për të, për të qenë pjesë e Kukësit.
Konsultë nga drejtuesit? Përderisa bien dakord të dyja palët. Nuk besoj se ka diçka për t’u shqetësuar. Nuk mendoj se klubet shqiptare e kanë luksin për të pasur staf të veçantë për lojtarët që vijnë pas trumave të tilla. Ka nevojë për një trajtim më të specializuar dhe për një trajner personal, që të merret me të, për ta kthyer sa më shpejt në gjendjen e tij më të mirë fizike. Kjo ka qenë ajo që drejtuesit dhe lojtari kanë arritur në këtë marrëveshje.
Largimet e ngjashme? Nuk marr përsipër që të komentoj ngjarje, kur unë nuk kam qenë pjesë e këtij klubi. Mund të flas për periudhën kur kam qenë këtu. Nuk e di çka ndodhur në të shkuarën, pasi mund të gaboj nëse flas. Në rastin e Musollit, mund të them fjalët më të mira si djalë. E kam pasur fatin që ta kem edhe në sezonin e parë të Kukësit në Superiore. E ka nisur që atëherë me Kukësin dhe ka kontribuar maksimalisht, duke dhënë gjithçka dhe duke fituar çdo gjë. Mund të flas fjalët maksimale si djalë dhe si sportist. Palët e kanë lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen mund të ketë sërish bashkëpunim. Kjo më lë shije të mirë.
Ndikim te futbollistët? Nuk mendoj se do të ndikojë, pasi kur bëhet një marrëveshje mes zotërinjsh, lihet çdo gjë hapur për të bashkëpunuar. Nuk mendoj se mund të ndikojë. Sapo kam ardhur dhe më është njoftuar marrëveshja, ndaj nuk mund të jap më tepër konkluzione apo mendime.
Mungesa e golit nga Rexhinaldo? Është një problem i vjetër te ne. Por më gëzon fakti që kanë kontribuar edhe lojtarët e tjerë, jo vetëm Rexhinaldo. Kanë kontribuar edhe mbrojtësit, por edhe brazilian Uilliam. Me tre golat e tij na ka dhënë shtatë pikë. Presim kontributin e çdo lojtari, mundësitë janë. Ekipi po vjen në rritje nga dita në ditë, lojtarët po gjejnë formën. Shpresoj që në vazhdim të bëhen protagonistë edhe ata.
Reagimi i Rexhinaldos pas ndeshjes? Më vjen që çdo gjë që ndodh me Cungun hapen gazetat. Ishte një keqkuptim, ai nuk kishte asgjë me mua. E kishte me një kolegun e vet, ishte keqkuptim që u sqarua pas ndeshjes. Nuk ka pasur asgjë për t’u komentuar. Meqë m’u dha rasti, dua të uroj Rexhinaldon që është bërë baba, pasi është shtuar me djalë.
Nervozizmi? Ato na shqetësojnë ne. Nuk më pëlqen të shohim duke u marrë me ne për gjëra që ndodhin në çdo ekip futbolli, madje edhe më të rënda dhe kamuflohen. Janë gjëra normale dhe të kalueshme. Edhe në familje kemi grindje. Nuk është diçka tragjike. Po të ishte e tillë nuk do të kishte vend për asnjë sportist në klub.
Gjendja e skuadrës? Kemi rikthime, por duhet të shohim të menaxhojmë situatën dhe të mundohemi të ruajmë lojtarët për të mos agravuar gjendjen e tyre, por edhe për të marrë më të mirën e futbollistëve.
Formacioni? Kemi provuar lëvizje dhe përfundimisht do e vendosim nesër se si do të rreshtohet skuadra në fushë”, u shpreh Cungu. /VipSport/